Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh optimist në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, duke thënë se ky është shtatori i fundit që ata janë në opozitë.

Në fjalën e tij, ish-kryeministri tha se rotacioni nuk do të vonojë dhe Partia Demokratike do të marrë pushtetin në zgjedhjet e vitit 2025.

Sipas tij, këto 9 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme janë një betejë finale, ndërsa theksoi se në demokratëve duhet ti shihet në sy bindja për fitore.

Fjala e Berishës:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta ju anëtareve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD. Ju z.Paloka dhe drejtuesve, Sekretarit të Përgjithshëm, n/kryetarëve të PD.

Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë demokratet e demokratët, qytetaret dhe qytetarët që ndjekin këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD, mbledhjen më të rëndësishme.

Ky është shtatori i fundit që na gjen në opozitë. PD në vitin 2025 merr pushtetin. Rotacioni nuk mund dhe nuk do të vonojë më. Rotacioni është në duart tona, në guximin, sakriuficën tonë dhe nuk ka asnjë opsion tjetër.

I them këto, sepse kemi hyrë në muajin e 9[të përpara betejës finale elektorale. Në 9 muaj ne kemi përballjen finale kundër së keqes që në 11 vite asgjësoi procesin e vërtetë elektoral, plaçkiti, poshtëroi dhe dëboi masivisht shqiptarët.

I them këto se çdo demokrat dhe demokrate nga sot e tutje, kur të kërkojë votën e PD, demokratëve duhet t’i shihet në sy bindja për fitore.

Demokratëve duhet t’i dëgjohet në zë bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në shpirrt, bindja për fitore. Demokratëve duhet t’u lexohet në trup, bindja për fitore.

E gjitha sot, më shumë se kurrë fitorja qendron në guximin, besimin dhe duart tona.

Këto vite PD e plagosën jo pak, kjo nuk mohohet. E vërteta është se këto vite me sulmin që na u bë, ne kemi luftuar më shumë në mbrojtje se sa në sulm. Duhet të mbronim flamurin tonë, programin tonë, pluralizmin politik që po jepte shpirt në Shqipëri, duhet të mbronim opozitën shqiptare.

Por sot kjo betejë ka mbaruar, realiteti është krejt i ri, kushtet kanë ndryshuar. Sot ne jemi të bashkuar. Sot ne jemi PD e Shqipërisë më e fortë se kurrë!

Në të gjithë këtë situatë komplekse, por jo pa rrugëdalje, kemi një përgjegjësi dhe vetëm një: përgjegjësia jonë është, largimi i Edi Ramës dhe rikthimi i votës së lirë të shqiptarëve që kanë humbur pothuaj prej një dekade.

Detyrë vërtetë e vështirë, por absolutisht e realizueshme. Kjo sepse është një kauzë e drejtë, dhe një kauzë e drejtë nuk vdes kurrë.

Aktualisht, kjo është kauza e të gjitha kauzave për demokratët dhe qytetarët shqiptarë. Është kauza që bën krenarë dhe frymëzon të gjithë ata që ngrihen, e mbrojnë dhe sakrifikohen për të.

Por pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ky është edhe misioni i ri historik më përcaktues për fatin e PD, shtetit ligjor, integrimit europian.

Natyrshëm lind pyetja: a ka forca jonë politike fuqinë për të realizuar këtë kauzë?
PD këto 9 muaj e thashë edhe njëherë duhet të kalojë nga mbrojtja në sulm, dhe secilin nga ne duhet të përsërisim dy fjalë: sulm dhe fitore.

Këto 9 muaj PD duhet të njohë vetëm sulm dhe fitore. Këto 9 muaj, secili nga ne duhet të njohë vetëm sulm, sulm dhe fitore.

Këto 9 muaj, fitorja e opozitës do të jetë opsioni ynë i vetëm, etano epitas, me të ose mbi të.

Ky do të jetë 9 muajt e ardhshëm dhe qendrimi i PD. Sulm pa kthim prapa. Vetëm me këtë qendrim ne do të fitojmë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu