Me votën e diasporës ka përfunduar edhe procesi i numërimit për qarkun e Shkodrës, duke nxjerr rezultatin përfundimtar të subjekteve politike dhe kandidatëve më të votuar. Partia Demokratike është forcë e parë në nivel qarku me 37 mijë e 173 vota, si dhe 5852 të diasporës, duke grumbulluar në total 43 mijë e 025 vota. Partia Socialiste në nivel qarku mori 34 mijë e 882vota dhe 5539në diasporë, me një total prej 40 mijë e 421 vota. Ashtu si në nivel qarku edhe me votën e diasporës, dy kandidatët më të votuar nga kampet respektive janë Bardh Spahia i PD dhe Edona Bilali e PS. Kandidati demokrat Bardh Spahia i cili siguroi i vetmi nga lista e hapur mandatin e deputetit është emri më i votuar si në nivel qarku, ashtu edhe në diasporë, si dhe një nga emrat më të votuar në shkallë vendi krahasuar me numrin e votuesve në nivel qarku. Ai mori 9466 në 5 bashkitë e qarkut dhe 1653 vota të diasporës, një total prej 11 mijë e 119 votash. Ndërsa Edona Bilali në nivel qarku mori 8874 vota, si dhe 1050 në diasporë, me një total prej 9924 votash. Edhe pse ajo nuk siguroi mandat deputeti, mbetet emri më i votuar nga socialistët. Tashmë me numërimin e 405 qendrave të votimit në qark, si dhe 13 mijë e 959 zarfeve të diasporës, rezulton se Partia Demokratike është forca e parë politike në nivel qarku, duke fituar në bashkitë Shkodër, Pukë dhe Fushë Arrëz. Ndërkohë PS mori një tjetër humbje në nivel qarku, duke dalë forcë e parë vetëm në Malësi të Madhe dhe duke humbur në 4 bashkitë e tjera, madje në Vau Dejës doli forcë e tretë politike, pasi kryesoi në këtë bashki PSD. Rritjen e vetme PS e pati në Shkodër, ku bashkimi i votave të ish LSI-së, ja mundësoi ngushtimin e diferencës me PD-në, krahasuar me zgjedhjet e 4 viteve më parë. Tashmë me mbylljen e këtij procesi dhe certifikimin e rezultatit zgjedhor, Shkodra në kuvend do të përfaqësohet nga 5 deputetë të PD, 4 të PS dhe 2 të PSD, përkatësisht: Marjana Koçeku, Onid Bejleri, Xhenis Çela dhe Bujar Rexha nga PS. Luciano Boci, Kliti Hoti, Greta Bardeli, Ramadan Likaj dhe Bardh Spahia nga PD, si dhe Tom Doshi e Besnik Brahimi nga PSD.