Kreu i PD, Sali Berisha mbajti fjalën në ceremoninë për 34-vjetorin e themelimit të PD. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë ai tha se demokratët tani janë më të bashkuar. Berisha shpalosi programin ekonomik të partisë, ku theksoi se paga minimale do të jetë 500 euro, kurse ajo mesatare 1200 euro.
FJALA E PLOTE:
Të dashur themeluese, themelues të Partisë Demokratike, të pranishëm në këtë sallë dhe kudo që jeni sot.
Të dashur drejtuese dhe drejtues të PD, anëtarë dhe mbështetës të kësaj partie, gëzuar 34-vjetorin e themelimit të PD.
Një përshëndetje të përzemërt kam për të gjithë ata opozitarë e demokratë që në këto 34 vite, kanë derdhur lumenj djerse, guximi dhe kanë mbajtur gjallë, janë shndërruar në forcën jetësore të kësaj partie dhe e kanë sjellë atë këtu në prag të fitores, fitores së saj të tretë, fitores së merituar.
Por në emër tuaj dua të përshëndes kryetarin e Partisë së Lirisë, aleatin tonë, Ilir Meta, deputetin e PD, Ervin Salianji, drejtuesin e Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, për qëndresën e tyre, të arrestuar dhe në burgjet e diktaturës.
Dua të përshëndes përzemërsisht praninë e aleatëve tanë, me të cilët në 32 vite kemi ndarë betejat dhe fitoret, kemi qëndruar së bashku në kauzat e drejta që besojmë.
Miq dhe të ftuar, kur kthehesh mbrapa në kohë, në ditët më të para, kur rikthen në kujtime patosin, fuqinë e protestës studentore, studentët liberatorë, tribunin e lirisë, princin e pavdekshëm të shqiptarëve, Azem Hajdari, kur viziton në kujtime emocionet e themelimit të PD, njëherazi vendosjen e pluralizmit politik dhe ndarjen e epokave në Shqipëri, vendin më monist të planetit, kur kujton eposin qytetar të shembjes së kultit më të keq që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre, kultin e Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pasluftës, kur kujton entuziazmin e ditës së bardhë, ditës së parë të demokracisë që PD dhe opozita shqiptare sollën me 22 mars të vitit 1992, zëvendësimin e shtetit diktatorial me shtetin ligjor, kur kujton krenarinë e anëtarësimit të Shqipërisë në KiE, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kur kujton marrëdhëniet njerëzore të njerëzve të lirë, kur kujton trashëgiminë e atyre që sot nuk janë sot mes nesh, kur kujton tribunin e lirisë, prijësin e pavdekshëm Azem Hajdari, kujton Mandelën e Shqipërisë, Pjetër Arbnori, intelektualin vigan Ali Spahija, kujton intelektualin e shquar dhe guximtar, drejtues kryesor i PD, Gramoz Pashko, mençurinë e Sokol Olldashit, mirësinë dhe virtytet e Bujar Nishanit, qytetarinë e Gerti Bogdanit dhe mbi të gjitha dashurinë reciproke që anëtarët dhe mbështetësit e PD ndajnë njëri me tjetrin, kur fluturimthi kthehesh një kujtimet e pasura 34-vjeçare të historisë sonë, një gjë të vjen në mendje, çfarë fati për ne të jemi pjesë e kësaj partie.
Çfarë fati për ne të jemi pjesëmarrës në këtë histori të lirisë së Shqipërisë 3 herë me radhë.
Çfarë fati për ne që na u dha mundësia t’i japim Shqipërisë pluralizmin, të rrëzonim diktaturën më gjakatare në Europë.
Por jo më pak të jepnim kontributin tonë të pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ishim bashkë ne të gjithë këtu në Tiranë, krah mikut të shquar të shqiptarëve, presidentit Xhorxh Bush, kur u shpall për herë të parë pavarësia e shtetit të dytë të shqiptarëve, pavarësia e Kosovës.
Të gjithë këto arritje epokale, të gjitha këto gëzime, këto marrëdhënie të jashtëzakonshme që kemi me njëri-tjetrin janë fat dhe privilegj.
Por mbi të gjitha çfarë fati për ne të jemi në një parti që nuk lëshon kurrë të vërtetat që beson, interesin kombëtar edhe sikur e gjithë bota të dalë kundër nesh.
Në çdo rrethanë, në çdo kusht, Shqipëria është e para.
Shqipëria është e para.
Shqipëria është e para.
Dhe kjo është dëshmuar, është faktuar në këto 3 vite që lamë pas.
Sepse imagjinoni miq çfarë do ndodhte me ne nëse do ishim dorëzuar para të keqes apo nëse zjarri i përçarjes që frynte mbi ne të kishte arritur qëllimet e veta?
Çfarë do ndodhte me ne nëse sot do kishim krijuar një parti të re, siç na kërkuan ato vite që na grabitën flamurin e partisë?
Çfarë do ndodhte me ne nëse do dorëzoheshim para izolimit ku na futën?
Çfarë do ndodhte me ne nëse do heshtnim kur gjykatat kriminale kërkonin të shkelmonin Kushtetutën, të kryenin për llogari të narkodiktatorit grushtin antikushtetues të shtetit?
Si do ishte sot ky 34-vjetor i PD nëse do ishim përkulur ndaj këtij grushti shteti që u krye ndaj opozitës shqiptare.
Ne sot nuk do ishim këtu ose do ishim me një flamur tjetër të dorëzuar nga kundërshtari.
Sigla, flamuri i vërtetë i PD do kishte humbur, do kishte mbetur pa zotërit, kalorësit e tij.
Do ishim sërish të izoluar, një kryetar kukull që nuk do e zgjidhnit ju, që do na e diktonin me shantazh dhe presion.
Do ishim pa identitet, do ishim pa fuqi, do ishim fasadë.
Dhe kjo humbje nuk do ishte vetëm e PD. Humbja më e madhe do ishte e Shqipërisë dhe shqiptarëve sepse bashkë me opozitën do të vdisnin ato vlera për të cilat ne qëndrojmë.
Do vdiste pluralizmi i vërtetë politik.
Do vdiste sovraniteti i brendshëm i kombit.
Do shkonfigurohej familja, prindi dhe identiteti i shqiptarëve.
Dhe duke konsoliduar për dekada pushtetin kriminel të narkoshtetit të parë në Europë, kjo e ardhme nuk do ndodhte kurrë për shqiptarët.
Sepse ne sot jemi në këmbë, ne sot jemi të bashkuar me flamurin tonë që valëvitet më krenar se kurrë ndonjëherë.
Me tre rezoluta që na japin mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë gjer më sot.
Na japin për betejat tona, për qëndresën tonë, për vlerat që mbrojmë, ku vetëm rezoluta e fundit e IDU, që kryesohet sot nga partia që drejton dhe udhëheq sot SHBA, Partia Republikane.
Ne fituam. Ia dolëm që të shpëtojmë opozitën e vërtetë. Ta kthejmë atë në shpresën e vërtetë të shqiptarëve dhe të sigurojmë fitoren vitin e ardhshëm.
Miqtë e mi, kurrë nuk duhet të harrojmë katastrofën që parandaluam me qëndresën tonë.
Shqipëria pa opozitë do ishte një dimër i pafund.
Do ishte projekti që do varroste përfundimisht kombin shqiptar.
Sepse kur narkoshteti i Edi Ramës dëboi gjysmën e shqiptarëve vetëm në 10 vite, imagjinoni se çfarë do ndodhte dekadat e ardhshme kur Edi Rama priste të sundonte pa opozitë.
Por tani kjo ëndërr e Edi Ramës, ky projekt i Xhorxh Sorosit ka vdekur dhe ne duhet ta kallim atë.
Dhe siç thotë ajo shprehja e mençur e shqiptarëve, kur hap gropën e tjetër, do biesh vetë.
Fatin që përgatiti për ne, do e ketë rilindja e Edi Ramës, narkoqeveria e tij.
Vetë Edi Rama po e shkërmoq atë organizatë. E vetmja gjë që mban rilindjen sot është vetëm pushteti. Pushteti i bazuar në lidhjet me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.
Ditën që nuk do ketë më pushtet, shqiptarët do shohin gjendjen e vërtetë të saj.
Dhe këtu qëndron ndryshimi fundamental mes nesh dhe atyre.
Ne nuk jemi njëlloj sepse ne jemi një parti që ka fuqinë për të rikrijuar veten e saj.
Jemi një parti që kemi drejtuar dy herë Shqipërinë.
Herën e parë, kemi pasur gabimet tona, por kemi shënuar arritje epokale dhe askush sot nuk mund të mohojë se qeverisja e viteve 2005-2013 ka qenë më e suksesshmja që ka njohur Shqipëria.
Dhe së fundmi ne kemi vetinë, aftësinë për t’u ringritur pasi rrëzohemi.
Sepse ne kemi të parin interesin kombëtar dhe kurrë nuk e harrojmë këtë.
Prandaj dhe njësoj si hera e dytë ishte më e suksesshmja, hera e tretë do bëjmë të harrojmë herën e dytë. Do jetë më e mira.
Rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve.
Dhe me ëktë duhet thënë se gjendemi në pikën kyçe të betejës sonë.
Ditët tona të këqija janë tashmë e shkuara.
Beteja jonë për shpëtimin e opozitës u krye, e fituam atë betejë.
Tani jemi në betejën për shpëtimin e Shqipërisë.
Para së gjithash për shpëtimin e qytetarëve shqiptarë nga dhimbjet e skamjet dhe mjerimit, për vendosjen me shpejtësi të minimumit jetik 200 euro, për pagën minimale 500 euro, për pagën mesatare 1200 euro, për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, për proporcionimin e çmimeve të energjisë dhe ujit, në proporcion me rrogat dhe pensionet që marrin.
Për shërbimet publike më cilësore që kanë njohur shqiptarët, për arsimin dhe shëndetësinë.
Për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Europë.
Zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit është zotimi ynë para shqiptarëve.
Njerëzit, qytetarët do na mbështesin.
E tha Neritan Ceka këtu para jush, duhet front i përbashkët me qytetarët shqiptarë.
Së bashku të përzëmë këtë regjim më të keqin që kanë njohur shqiptarët në këto vite.
Njerëzit do na mbështesin sepse ne u provuam shqiptarëve se nuk shitemi, por në thelb qëndrojmë shqiptarë të vërtetë.
Miqtë e mi, si mik do t’u them një fjalë, në çdo vështirësi që të vini, kurrë mos harroni se po qe
se duhet të shohim galerinë e heronjve, nuk ka komb tjetër me heronj si ne.
Ndaj dhe duhet të ndjehemi krenarë me qenien tonë shqiptarë.
Ku ka bota një Skënderbe? Ku ka bota një Adem Jashar? Ku ka lëvizja një Azem Hajdar?
Kurrë mos u dorëzoni. Kurrë mos i jepni!
Ne u provuam shqiptarëve se nuk përkulemi, por më kryesorja ne i kemi frymëzuar shqiptarët.
Ne i frymëzuam shqiptarët se luftuam ndonëse kishim kundër narkoshtetin, mafien e perandorisë së Sorosit, mediat e kontrolluara, drejtësinë si degë ekzekutive dhe bandat e qeverisë.
Ne frymëzuam shqiptarët se qëndruam 330 ditë dhe nuk u dorëzuam.
Dhe kur nuk dorëzohesh, edhe një rrugicë pa drita mund ta kthesh në një prozhektor dritash dhe shprese për mbarë vendin.
Kur nuk dorëzohesh edhe një dritare mund ta kthesh në armën më të fuqishme kundër kundërshtarit të lig që nuk njeh normë as moral.
Mund ta kthesh në një portë ferri për të keqen dhe të fitosh.
Prandaj dhe Rrugën e Shpresës, dritaren e katit të tretë, me qëndresën tonë të përbashkët, i shndërruam në burim frymëzimi për shqiptarët, në makth të tmerrshëm për narkoqeveritarët.
Prandaj PD do të shpëtojë Shqipërinë vitin tjetër sepse ne nuk dorëzohemi kurrë për dinjitetin njerëzor.
Nuk dorëzohemi kurrë për familjen shqiptare dhe vlerat e saj.
Nuk dorëzohemi kurrë për interesin kombëtar.
Nuk dorëzohemi kurrë për pluralizmin politik.
Prandaj lëvizja jonë që nisëm 3 vite rithemelim, sot është ortaku më i madh opozitar me mbështetjen më të madhe ndërkombëtare, që po ecën drejt fitores më të madhe që kemi pasur.
Me të cilën do arrijmë sukseset më të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Prandaj miq, nëse kemi pasur një të shkuar historike, ne do kemi një të ardhme edhe më historike vetëm e vetëm pse punojmë për qytetarët.
Kemi një diktaturë të dytë për të shembur.
Kemi një komb për të shpëtuar.
Kemi familjen shqiptare për ta shpëtuar.
Kemi demokracinë për ta shpëtuar.
Kemi Shqipërinë për ta ripopulluar me bijtë dhe bijat e saj.
Dhe nuk jemi vetëm.
Bashkë me ne janë shqiptarët.
Bashkë me në janë partnerët ndërkombëtarët, të cilët me tre rezoluta na dhanë mbështetjen më të madhe.
Por bashkë me ne është edhe i plotfuqishmi, i madhi Zot.
Është i madhi Zot sepse vetëm me ndërhyrjen e tij, u bë e mundur që me datën 5 nëntor, perandoria marksiste e Xhorxh Sorosit të rrëzohej nga froni dhe bota e lirë të shënonte një triumf jo më pak se legjendar.
Zoti e dha ndihmën e tij, tani është radha jonë.
Me datën 23 dhjetor në mosbindjen civile më të fuqishme që është parë ndonjëherë.
Të bashkojmë shqiptarët për shtytjen përfundimtare ndaj narkoshtetit dhe themeleve të tij.
Të shndërrojmë Tiranën në kryeqytetin e demokracisë, tmerrin e narkokracisë.
Është radha jonë t’i japim përgjigjen në zemër këtij regjimi që në 10 vite shpopulloi, grabiti dhe poshtëroi shqiptarët.
Faleminderit të gjithëve për këto 34 vite historike.
Është radha jonë!
Ditëlindjen tonë të 35-të duhet ta festojmë në pushtet, në liri.
Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria!