Ekipet e mirëmbajtjes vijojnë çdo ditë punën në terren për pastrimin dhe mbledhjen e mbetjeve përgjatë akseve rrugore, duke larguar sasi të konsiderueshme mbeturinash të hedhura në karrexhatë dhe në anët e rrugës. Ky angazhim i vazhdueshëm synon të garantojë rrugë më të pastra, një pamje më të rregullt dhe një mjedis më të shëndetshëm për banorët dhe vizitorët.
Autoritetet theksojnë se, përtej punës së ekipeve të mirëmbajtjes, pastërtia e akseve rrugore kërkon edhe bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e çdo qytetari. Përdoruesit e rrugës ftohen të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi duke mos hedhur mbeturina nga automjetet gjatë udhëtimit dhe duke respektuar mjedisin.
Në kuadër të forcimit të masave kundër ndotjes, kamerat e Qendrës së Monitorimit të Trafikut do të përdoren gjithashtu për të identifikuar dhe gjobitur personat që ndotin akset kombëtare.
Institucionet bëjnë thirrje për më shumë përgjegjësi qytetare, duke theksuar se pastërtia e rrugëve është një tregues i rëndësishëm i kulturës dhe respektit ndaj mjedisit.






