Një ditë pas përplasjeve mes Policisë Bashkiake dhe përfaqësuesve të Myftinisë Shkodër për heqjen e një tabele me thënie profetike në afërsi të Xhamisë Ebu Beker, situata ka marrë zhvillime të reja.
Myftinia Shkodër ka njoftuar sot ndalimin e punimeve që po kryheshin në zonën përreth xhamisë Parruce, pjesë e një projekti të Bashkisë Shkodër. Në një njoftim për median, institucioni fetar deklaron se punimet po zhvilloheshin në “truallin vakëf”, pronë e Myftinisë.
Njoftimi i Myftinisë Shkodër:
“Myftinia Shkodër njofton se ndalon vazhdimin e punimeve të projektit të Bashkisë Shkodër, të cilat po zhvilloheshin në truallin vakëf të saj, pranë Xhamisë Parrucë.”
Ngjarja vjen pas tensioneve të një dite më parë, kur punonjës të Policisë Bashkiake ndërhynë për të hequr një tabelë me thënie profetike të vendosur nga Myftinia pranë xhamisë, duke shkaktuar reagime në opinionin publik dhe komunitetin mysliman të qytetit.






