Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës hapi dyert spitali i ri i Laçit, i rindërtuar nga themelet pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një investim i qeverisë shqiptare. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu inspektuan spitalin e ri, të cilin e konsideruan një model për spitalet bashkiake në vend. Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama thotë se është model shembullor i spitaleve bashkiake në vend. Ndërsa në fjalën e tij para stafit, kryeministri Edi Rama e pati një koment edhe për mjekët dhe infermierët që largohen nga vendi.
Kjo ditë përjetohet në mënyrë të posacme në këtë zonë ku është prania e Shna Ndoit dhe janë të panumërt shqiptarët që vijnë për pelegrinazh. Më vjen shumë mirë që në këtë ditë të sotme përgjatë hedhjes së një vështrimi në mjediset e reja të spitalit, pashë disa mjeke të reja, të cilat janë atashuar spitalit të Kurbinit për të dhënë kontributin e tyre pasi kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në shkollë. Dua ta theksoj sepse shpesh herë dëgjojmë të përsëritet që s’kemi mjekë, s’kemi infermierë, kanë ikur të gjithë. Në fakt, për hir të vërtetës ne nuk e kemi një boshllëk të tillë, pavarësisht të pamohueshmes që ka mjekë e infermierë që të provojnë veten dhe të kërkojnë një eksperiencë gjetkë”, tha Rama.
Gjatë fjalës së saj ministrja Manastirliu, u shpreh: “Kurbini nuk ka vetëm një spital të ri. Është një strukturë spitalore e ndërtuar sipas modelit tonë të ri të spitaleve bashkiake, duke patur në vëmendje zhvillimet demografike, sëmundshmërinë dhe elementet socio-ekonomik të zonës. Modeluar me teknologjinë e kohës, me një hapesirë rreth 2800m2, nga sistemet e integruara të gazrave mjekësore, të ajrimit, e pajisur, me pajisje të reja biomjekësore. Pas ndërtimit të spitalit të ri të Kurbinit dhe pas ndërtimit të Maternitetit të ri të Lezhës, brenda 6 muajve të ardhshëm fillojmë rehabilitimin e spitalit rajonal të Lezhës dhe rindërtimin e spitalit të Mirditës”, tha Manastirliu.
Duke folur për autonominë spitalore, Ministrja e Shëndetësisë tha: “Po këtë vit ne mbajmë edhe një tjetër premtim: Zbatimin e Autonomisë Spitalore. Jemi duke përgatitur planin spitalor kombëtar. Pas miratimit të ligjit, reformën e fillojmë nga Spitali Memorial, Fier për ta shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë. Kështu rrisim efiçensën në spitalet publike duke i bërë më konkurruese. Kështu promovojmë më fort punën e mjekëve përmes mekanizmave të reja financiarë. Kështu sigurojmë aksesin e qytetarëve në shërbime cilësore”, tha Manastirliu.
Spitali i ri i Laçit i rindërtuar nga themelet, investim i qeverisë shqiptare, është pajisur me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar. Ka një kapacitet prej 40 shtretërish dhe do të ofrojë shërbimet e urgjencës; të imazherisë; laboratorit; kirurgjisë; patologjisë; maternitetin dhe pediatrinë; fizioterapinë, etj.
Bashkë me investimin e ri, në këtë spital vijnë edhe mjekët e specializuar, ku vetëm këtë vit sapo janë punësuar pesë mjekë, në specialitetet: pediatri, obsetrikë-gjinekologji, mjekësi interne, endokrinologji, okulistikë, duke plotësuar stafin e përbërë nga 60 mjekë dhe infermierë të këtij spitali.