Një zjarr i rëndë ka shpërthyer në tregun e rrobave të përdorura në Qafë Hardhi, pasditën e kësaj të premte. Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë urgjente nga Emergjencat Civile, ndërsa zjarrfikëset janë angazhuar në zjarrin e fuqishëm. Mjete të ndryshme janë dërguar nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari, për të ndihmuar në frenimin e flakëve.
Reagimi ka qenë i shpejtë nga Policia e Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke siguruar mbështetje për ekipet zjarrfikëse dhe për personelin e emergjencave civile.


Për fat të mirë, raportohet se dëmet janë vetëm materiale. Aktualisht, në terren janë të angazhuar 21 mjete zjarrfikëse nga reparti i Shkodrës dhe zonat e tjera, së bashku me 110 efektivë zjarrfikës. Përveç kësaj, janë mobilizuar 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë dhe 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës. Në përpjekje për të ndihmuar në zjarr, janë përfshirë edhe 110 punonjës të Bashkisë Shkodër dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.

Falënderojmë të gjithë ekipet e angazhuara për përpjekjet e tyre të palodhshme për të frenuar zjarrin dhe për të mbrojtur komunitetin tonë. Solidariteti dhe bashkëpunimi i treguar gjatë kësaj ngjarjeje tregojnë forcën tonë si një bashkësi në momente të vështira. Faleminderit për përkushtimin dhe shërbesën tuaj në mbrojtje të qytetarëve dhe pronave të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu