Zonat malore të Shkodrës janë qarku që ka shfaqur më shumë interes nga investitorët për bujtina, agroturizëm apo ferma malore, e ndjekur nga Vlora, Fieri, Kukësi dhe Dibra.
APLIKIMET PËR PAKETËN E MALEVE SIPAS QARQEVE
Berat 160
Dibër 306
Durrës 94
Elbasan 331
Fier 108
Gjirokastër 181
Korçë 235
Kukës 310
Lezhë 141
Shkodër 659
Tiranë 283
Vlorë 370
Totali 3178
Zv/ministri i Ekonomisë Enkelejd Musabelliu thotë se brenda një muaji e gjysmë kanë shfaqur interes mbi 3 mijë qytetarë për të investuar në zonat malore të Shqipërisë. “Aktualisht janë mbi 3 mijë aplikime që kanë ardhur si shprehje interesi në platformën e paketës së maleve, të cilat do të përdoren nga bashkitë si indikacione për të bërë një përcaktim sa më të mirë të zonave me përparësi zhvillimi. Më pas këto zona do të shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave.” Pas aplikimit, qytetarët të cilët kanë një marrëdhënie pronësie me këto zona do të lejohet të ngrejnë investimin e tyre.
Bashkitë kanë dy-tre muaj që kanë nisur punën për zhvillimin e këtyre zonave dhe nga vjeshta do të fillojë rast pas rasti që bashki pas bashkie të shpallen zonat me përparësi zhvillimi. Qytetarët që duan të zhvillojnë një pasuri publike me të cilën kanë një marrëdhënie posedimi fakti në këto zona, që ndodhen brenda territorit, me ligjin e drejtë, drejtohen bashkitë me aplikimin e tyre përkatës.”
Por vetëm 500 qytetarët e parë që do të përfundojnë projektin e tyre për fermë, bujtinë apo agroturizëm do të përfitojnë lehtësira fiskale.
“500 të parët që do të përfundojnë projektin, pra do të marrin certifikatën e përdorimit dhe do të hapin bujtinën, agroturizmin apo fermën malore për të cilën kanë marrë tokën në pronësi, do të përfitojnë lehtësira fiskale: përjashtim për një periudhë 10-vjeçare nga momenti i hapjes për taksën e ndikimit në infrastrukturë, taksën e ndërtesës, TVSH dhe tatimin e fitimit.”
Aplikimet do të jenë të hapura përgjatë gjithë vitit për qytetarët apo emigrantët që duan të investojnë në këto zona malore zhvillimore./tvklan