I përkasin njësisë administrative Rrethina të Bashkisë Shkodër, por jetojnë si në mesjetë me rrugë të amortizuar, pa ndriçim, mungesë uji të pijshëm dhe rrjet elektrik të kohës së diktaturës, që i lë në të shumtën e herës pa drita. Banorët e Hotit të Ri zgjodhën të dalin në protestë duke kërkuar vëmendjen e bashkisë Shkodër, pasi vështirësitë me të cilat përballen janë të shumta. Premtimet i kanë patur të panumërta, por investimet thonë ata janë zero.
Nëse rruga e tyre nuk rikonstruktohet deri më 11 maj, ato paralajmërojnë bojkot të zgjedhjeve parlamentare.
Edhe më përpara banorët e Hotit të Ri në Shkodër kanë ngritur zërin për këto probleme por deri më tani nuk kanë gjetur zgjidhje. Janë rreth 2 mijë persona, mes tyre fëmijë, të moshuar dhe invalid që përshkojnë këtë rrugë.