Të gjitha familjet, bizneset e vogla dhe institucionet që kanë fatura energjie të papaguara deri në dhjetor të vitit 2023, do të mund t’i shlyejnë me këste mujore. Debitorët familjarë mund të lidhin “aktmarrëveshje” me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të shlyer detyrimet deri në 240 këste. Për kategoritë e veçanta kësti minimal mujor do të jetë 1200 lekë ndërsa për klientët familjarë të tjetër 2800 lekë.

“Në këtë skemë përfshihen abonentët familjarë dhe jo familjarë. Do përfshihen në skemë edhe familjet në nevojë, familjet me status të veçantë dhe pensionistët, duke i dhënë mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura me këste minimale 1200 lekë apo 2800 lekë, por mund të kenë edhe këste alternative për të gjithë ata klientët paguajnë për një kohë më të shkurtër, gjithmonë duke ju përmbajt afatit maksimal prej jo me shumë se 240 këste”, tha Mentor Hima, Drejtor i Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE.

Ndërsa për klientët jo-familjarë shlyerja e detyrimit të prapambetur do të shtrihet deri në 120 këste në varësi të shumës që kanë. Kamatat do të ulen nëse debitorët bëjnë pagesë me një këst të detyrimit.

“Nëse klientët paguajnë me një këst të vetëm, ju falen nga 50-100% të kamatës”, tha Hima.

Në mënyrë që familjet apo bizneset e vogla të përfitojnë nga kjo skemë, duhet që t’i kenë shlyer të gjitha faturat prej 1 janarit 2024 dhe në vijim. OSHEE shpjegon edhe dokumentacionin që duhet dorëzuar për të përfituar nga skema.

“Përsa i takon dokumentacionit që duhet paraqitur për të përfituar, është ID e aplikantit, për bizneset e vogla është dokumentacioni ligjor, NIPTI, regjistrimi i biznesit në QKB, dhe përgjegjësia tatimore. Kërkohet edhe një dokument nga tatimet që të vërtetojnë përgjegjësinë tatimore që i takojnë biznesit të vogël. Kurse familjet me status të veçantë kërkohet një vërtetim për statusin e tyre”, tha Hima.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Një skemë e tillë lehtësuese u aplikua edhe gjatë vitit të kaluar kur u lidhën afro 7 mijë aktmarrëveshje me klientë familjarë dhe biznese.

SKEMA PËR KLIENTËT FAMILJAR 
-Pensionistët, ndihma ekonomike e status të veçantë,    1,200 lekë/muaj
-Klientët e tjerë familjarë,        2,800 lekë/ muaj
-Afati maksimal,          240 këste mujore
SKEMA PËR KLIENTËT JOFAMILJARË
Numri i kësteve     Vlera e detyrimit
24 këste               100,000 – 500,000 lekë
48 këste               500,001 – 1,000,000 lekë
60 këste               1,000,001 – 5,000,000 lekë
84 këste               5,000,001 – 10,000,000 lekë
120 këste             mbi 10,000,000 lekë
REDUKTIMI I KAMATAVE/ PAGESË ME NJË KËST
Klientët familjarë reduktim në masën 70%
Klientët jo-familjarë reduktim në masën 50%
Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë 100%

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu