Tridhjetë punonjës policie nga njësitë alpine të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës morën pjesë në një program të specializuar trajnimi, në malet e Korçës, nga 10 deri më 13 mars 2025.

Kursi intensiv, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim të ngushtë me trajnerë nga Policia Federale Austriake, synoi të përmirësonte aftësitë e punonjësve të policisë për të vepruar në mjedise të vështira malore, duke garantuar sigurinë e banorëve të zonës dhe turistëve.

Duke u mbështetur në bazat e vendosura nga një trajnim i mëparshëm në Theth, në vitin 2022, ky program shënoi një hap tjetër të rëndësishëm në përpjekjet e Shqipërisë për të rritur kapacitetet e saj në terrene malore. Trajnimi në Theth ishte një moment kyç në forcimin e gatishmërisë operacionale të policisë alpine shqiptare, ndërsa sesioni i këtyre ditëve e çoi më tej këtë objektiv.

Austria, e njohur për ekspertizën e saj në policimin alpin, ofroi trajnerë me përvojë, të cilët i drejtuan udhëhoqën pjesëmarrësit në një kombinim të ushtrimeve teorike dhe praktike. Punonjësit e policisë u trajnuan për aftësitë thelbësore si operacionet efektive të shpëtimit, protokollet e sigurisë dhe policimi taktik në male. Kursi përfshiu edhe prova intensive të qëndrueshmërisë dhe ushtrime për reagim të shpejtë në situata emergjente. Pjesëmarrësit morën përvojë praktike në ndihmën e parë, evakuimin e të plagosurve dhe përdorimin e pajisjeve të specializuara alpine, duke përfshirë litarët dhe rripat mbajtës, të cilët janë të domosdoshëm për mbijetesën në kushte ekstreme.

Duke folur në ceremoninë e mbylljes, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, tha se, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Austrisë, Prezenca e OSBE-së do të vijojë të mbështesë trajnime të mëtejshme për policinë alpine shqiptare.

Drejtori i Forcës Kombëtare të Sigurisë, Hamdi Fjora, theksoi se, pas një vlerësimi të përbashkët të nevojave me ekspertët austriakë, një grup i përzgjedhur punonjësish policie do të marrë pjesë në një program trajnimi për trajnerë. Kjo nismë synon të integrojë trajnimin alpin në kurrikulën vjetore të strukturave të sigurisë publike të Shqipërisë, duke siguruar ndërtimin e vazhdueshëm të kapaciteteve në këtë fushë.

Veprimtari ishte pjesë e një projekti të zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe të financuar nga qeveria austriake.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu