Në ditët e fundit përpara mbylljes së afatit zyrtar të regjistrimit të koalicioneve, në Partinë Demokratike janë shtuar lëvizjet. Pas takimeve të zhvilluara dje me Mediun dhe Partinë e Lirisë, sot po zhvillohet një tjetër tur negociatash. Më herët në selinë blu ka mbërritur kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe kreu i PAA-së, Agron Duka.
Ndërkohë në mesditë, selinë e PD-së e kanë vizituar sërish dy përfaqësuesit e Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto dhe Tedi Blushi. Negociatat kanë si temë kryesore se sa vende në listat e sigurta do të marrin aleatët e demokratëve. Kodi Zgjedhor nuk lejon koalicionet, por detyron partitë që të bashkëpunojnë duke dalë me një listë të përbashkët. Ndërkohë që po zhvillon negociata me aleatët tradicionalë, Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë edhe për një bashkëpunim parazgjedhor me Shpëtim Idrizin, ndërkohë që ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lulzim Bashën. Brenda kampit të djathtë është zyrtarizuar edhe një koalicion tjetër, ai i LZHK-së së Dashamir Shehit me partinë e sapokrijuar të Enkelejd Alibeajt.