Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Kryesisë për datën e protestës. Në një prononcim për median, Berisha deklaroi se opozita po planifikon protesta të ndryshme, të cilat do të shqyrtohen dhe do të vendosen në kohën e duhur.
Ai theksoi se mesazhi i PD-së për qeverinë është i qartë: “ik një minutë e më parë”.
Berisha: Kemi diskutuar për protesta të cilat do të gjitha do të shqyrtohen dhe do vendosen në kohën e duhur.
Pyetje: Të tipit? Mund të na i shpjegoni pak më qartë?
Sali Berisha: Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë. Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Dhe ne jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund largimin e kësaj organizate kriminale që siç e patë ju dhe nga intervista e fundit e Arben Ahmetaj, që në 5 dosje nxori rreth 12 miliardë euro të amnistuar, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë.
Pyetje: Zoti Berisha, a keni ju një thirrje ndaj protestuesve dhe në një formë ose në një tjetër, pritet që 24 janari t’i ngjajë 21 janarit?
Sali Berisha: 21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Ramës. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë me datën 12 dhjetor të vitit 1990. Konseguent në këtë linjë, ai e ka provuar. Natyrisht, Edi Rama po shkon drejt grahmave të fundit. Edi Rama është i pashpresë. Dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të.






