Deputeti Agron Shehaj është përplasur në Kuvend me kolegët socialistë, lidhur me protestat e banorëve të fshatit Rrjoll të Velipojës, të cilët janë ngritur kundër resortit që biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj po ndërton atje.Gjatë fjalës së tij, Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga Bashkim Ulaj, njeriu që sipas tij përmendej në përgjimet e ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.Shehaj pas fikjes së mikrofonit nisi të përplasej me socialistët lidhur me zhvillimet në Rrjoll, çka solli përjashtimin e tij nga seanca dhe ndërprerjen e seancës plenare.Një kritikë Shehaj e kishte edhe për deputetët e PD-së dhe të partive të tjera opozitare, të cilët sipas tij nuk kanë ngritur zërin për atë që ai e cilëson ‘grabitje të pronave në Rrjoll’.“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19 vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha mes të tjerash Shehaj.Kujtojmë se protestat kundër resortit të Ulajt në Rrjoll të Velipojës janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit, duke çuar në përplasje mes banorëve të zonës dhe Policisë së Shtetit dhe policisë private të kontraktuar nga biznesmeni dhe botuesi. Një i ri u dhunua nga punonjësit e ‘Breçani Security’ pak ditë më parë, ndërsa banorët e Rrjollit shprehen se nuk do i ndalin protestat, pasi pretendojnë se toka ku po ndërtohet është pronë e tyre që po tentohet të grabitet.
Kreu i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka folur jashtë Parlamentit lidhur me situatën e ndodhur brenda sallës, ku ai u përplas me socialistët për protestën e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të resortit të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj.Jashtë Parlamentit Shehaj tha për gazetarët se në Parlament nuk duan që të flitet për hallet e qytetarëve dhe kundër oligarkëve. Kjo ishte arsyeja sipas tij, që i ndërprenë fjalën në foltoren e Kuvendit.Teksa për çështjen e Rrjollot dhe për problemet e qytetarëve me pronat në mbarë Shqipërinë paralajmëroi protestë të enjten para Parlamentit, Shehaj tha gjithashtu se biznesmeni Ulaj përmes policisë private të kontraktuar prej tij ka dhunuar banorët që kundërshtojnë resortin e tij.“Në 4 orë diskutim sot në Parlament, nuk u përmend lajmi i javës. Kanë mbi 1 javë që qytetarët e Rrjollit protestojnë se po u rrëmbehet prona. 150 hektarë janë rrëmbyer nga ish-drejtori i Hipotekës dhe janë përjashtuar të gjithë pronarët e Rrjollit. Tani po protestojnë, por çfarë ndodh. Oligarku me të cilin po ndajnë pronat e këtij fshati, praktikisht u kanë vërsulur policinë private me grushta. Ky djali këtu është një 19-vjeçar që familjes së tij i kanë rrëmbyer pronën. Polica gjoja privatë me kapuçë, me shkopa gome, shikoni ça i kanë bërë, ky është babai i tij, i kanë thyer këmbën. Kur fillova të flisja për këtë çështje në Parlament, nënkryetarja më hoqi fjalën. Sepse për këto çështje nuk duan që të flitet në Kuvend. Në mbrojtje të banorëve të Rrjollit dhe të të gjithë Shqipërisë që po u rrëmbehet prona, do të protestojmë të enjten para Parlamentit dhe nuk na ndalon dot askush. Taulant Balla pa pikë turpi i thoshte ‘do ta pezullojmë 1 muaj këtë’. Pse? Sepse fola për Rrjollin, fola për hallet e qytetarëve”, tha mes të tjerash Shehaj.






