Në familjen e Migenës, që mëngjesin e të shtunës u vra në mënyrë mizore nga kunati i saj në sy të vajzës 2 vjeçe, ka pllakosur zija.

ABC News ishte në pranë familjes së saj, në zonën e Lundrës. Jashtë kamerave ata thanë se Migena dhe bashkëshorti i saj Erjoni, kishin kohë që nuk komunikonin me Rolandin për shkak të konflikteve që ai u hapte pasi vuante nga problemeve të shëndetit mendor.

Për të sqaruar rrethanat e ngjarjes tragjike, policia mori në pyetje familjarët e autorit Roland Sinani që më pas vrau edhe veten. Ata kanë deklaruar se ditët e fundit, gjendja psikologjike e 44 vjeçarit ishte rënduar së tepërmi. Sipas tyre, ai nuk duronte më asnjë zhurmë apo të qara fëmijësh nëpër shtëpi.

Hetuesit dyshojnë se qarat e fëmijëve 2 dhe 4 vjeç, pasi njëri prej tyre ishte me temperaturë ditët e fundit, mendohet të kenë çuar Roland Sinanin për të ndërmarrë aktin e rëndë.

Dinamika e ngjarjes është treguan në polici nga nëna, Igbale Sinani. Ajo ka pohuar se ishte zgjuar në 3 të mëngjesit të së shtunës dhe kishte parë Rolandin të shtrirë në divanin e korridorit. I ka kërkuar të shkonte në dhomë të flinte. Pas një ore, ka rrëfyer ajo, kam dëgjuar një të shtënë arme dhe kam dalë në korridor ku Rolandi më ka thënë “E vrava”.

Më tej e moshuara ka marrë vajzën e vogël 2 vjeçe që ndodhej me Migenën në krevat dhe ka njoftuar të shoqin, Gëzimin. Pas dy minutash kanë dëgjuar edhe një të shtënë arme. Rolandi kishte vrarë veten në oborrin e shtëpisë.

Dy të moshuarit kanë pohuar se nuk kishin dijeni për armën që ishte në shtëpi pa leje. Hetuesit janë në pritje të ekspertizës për të vërtetuar nëse pistoleta që u gjet pas shtëpisë është çuar aty pas ngjarjes nga kryefamiljari ose jo.

Në pyetje, policia mori edhe bashkëshortin e Migenës, Erjon Sinanin që në momentin e ngjarjes nuk ndodhej aty pasi punonte si taksist. Ai ka treguar se nuk kanë pasur konflikte me të vëllain. Madje kishin mbledhur një shumë parash për të ndërtuar shtëpinë dhe të jetonin sërish së bashku në një ambient më të madh.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu