Chris LaCivita, një prej menaxherëve e këshilltarëve kryesorë të Presidentit amerikan Donald Trump ne fushatën për zgjedhjet e 5 nëntorit te vitit të kaluar, do të jetë strategu i fushatës së Partisë Demokratike për betejën e 11 majit.
Kryetari i PD Sali Berisha doli sot para mediave së bashku me Chris LaCivita për të njoftuar bashkëpunimin për zgjedhjet parlamentare duke sqaruar edhe arsyet pse këshilltari i Presidentit Trump zgjodhi të bashkëpunoj me Partinë Demokratike.
“E vërteta është se PD dhe opozita shqiptare, si dhe Shqipëria, ishin vendi i dytë pas SHBA, në të cilën e majta radikale sorosiane, ideologu i saj, armiku i demokracisë, Xhorxh Soros dhe kukulla e tij, Antoni Blinken, gënjeshtar në letrën puçiste të laptopit të famshëm, duke mashtruar kombin e tij dhe botën për interesa politike, këta bënë në Shqipëri eksperimente tragjike. Bënë gjithçka për zhdukjen e opozitës konservatore, de facto pluralizmit politik dhe instalimin e monizmit të bazuar në krimin, drogën dhe korrupsionin. “, shprehet Kreu i PD, Sali Berisha.
Edhe strategu i fushatës së Presidentit Trump, Chris LaCivita i mëshoi tezës kundër Sorros.
“Ne jemi sot këtu sepse dëshirojmë të zgjedhim një kryeministër që është një mik i vërtetë i SHBA, i cili do të punojë në mënyrë të suksesshme me presidentin Trump dhe me SHBA. Kryeministri aktual nuk është asgjë më tepër se një kukull e Xhorxh Sorros, nuk mund të mbetesh kukull e Soros. Nuk mund të jesh edhe kukull e Soros dhe mik i SHBA-ve, kjo nuk është e mundur.”, tha Chris LaCivita.
Chris LaCivita shërbeu si bashkëmenaxher dhe këshilltar kryesor në fushatën elektorale të Donald Trump për tu zgjedhur si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 5 nëntorin e vitit të kaluar.