Screenshot

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, dhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, e kanë cilësuar vendosjen e statujës së Mbretëreshës Teutë në rrugën Shëngjin–Velipojë si një moment me rëndësi të veçantë për të dy qytetet.

Në reagimet e tyre, Ndreu dhe Beci theksojnë se vendndodhja është përcaktuar me dakordësi të plotë mes dy bashkive, në një hapësirë me domethënie historike dhe simbolike. Sipas tyre, ky është një vend që i përshtatet figurës së Teutës, e njohur si Mbretëresha e deteve, duke i dhënë njëkohësisht zonës një vlerë të shtuar kulturore dhe duke e kthyer atë në një destinacion të ri turistik.

Me poshte edhe dy statuset e kryebashkiakeve:

Pjerin Ndreu – Kryebashkiaku i Lezhës:

Shkodra apo Lezha?!
Lezha apo Shkodra?!
Nje furtune ne gote per nje statuje te mbretereshes Teute qe do vendoset te ballkoni panoramik ne rrugen Shengjin Velipoje!
Nuk ja morem, as nuk ja hodhem as nuk ja fshehem askujt! Por rame dakord bashke me Benet Becin qe te vendoset aty, si sherbim qe ju behet njekohesisht dy qyteteve! Eshte i vetmi vend ku shikohet qe nga Ulqini e deri ne Durres!
Faleminderit Benet Beci per mirekuptimin dhe dashamiresine ne zgjidhjen e perbashket! Tam tamet e portaleve dhe gjuheleheseve nuk na ngaterrojne dot, perkundrazi na forcojne ne harmoni veprimi te pa pare ndonjehere!

Benet Beci – Kryebashkiaku i Shkodrës:

Ballkoni panoramik mes Shëngjinit dhe Velipojës po merr një vlerë të shtuar, përmes vendosjes së statujës së Mbretëreshës Teutë. Ky nuk është një vendim territorial, por një zgjedhje që sheh përtej kufijve administrativë, duke lartësuar vetë figurën e Mbretëreshës dhe historinë që ajo përfaqëson.
Pozicioni i ballkonit panoramik i jep veprës kuptimin e saj të plotë: nga kjo pikë, vështrimi shtrihet mbi Adriatik, nga Ulqini deri në Durrës, duke e vendosur Mbretëreshën Teutë në hapësirën që i takon historikisht, atë të detit, të qyteteve bregdetare dhe të një trashëgimie që na bashkon.
Falënderim për artistin Julian Muçollari, që e krijoi këtë vepër, dhe për gazetarin Marin Mema, i cili, si drejtues i fondacionit “Shqipëria tjetër”, e bëri të mundur realizimin e saj. Një falënderim i veçantë edhe për Pjerin Ndreu, kryetarin e Bashkisë Lezhë, me të cilin ky vendim u ndarë dhe u dakordësua në mirëkuptim të plotë.
Falënderim edhe për qytetarët që reagojnë dhe ndihen të lidhur me historinë dhe simbolet tona. Vetëm duke parë më larg, me qartësi dhe mirëkuptim, mund të ndërtojmë më shumë vlerë për trashëgiminë dhe për vendin tonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu