DVP Shkodër/Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin K. T., 30 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe bashkëshortes së tij.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-Z. G., banues në Shkodër, pasi ka kryer punime ndërtimi në biznesin e tij (hotel), në fshatin Pulaj-Plazh, pa leje përkatëse;
-M. G., 33 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, pasi ka vënë muzikë në lokalin e tij, në tejkalim të orarit të përcaktuar në ligj, dhe si pasojë ka prishur qetësinë publike në zonë.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-E. E., banues në fshatin Mali Hebe, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur;
-një 17-vjeçar, banues në Shkodër, pasi me automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasja A. S., 40 vjeçe, dhe është larguar nga vendi i aksidentit. Nga përplasja, është dëmtuar lehtë 40-vjeçarja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.