“Takim pas vitesh: Një herë Skaut-gjithmonë Skaut” – aktivitet i organizuar nga “Guidat dhe skautët e Europës” Shqipëri.
Skautizmi është një lëvizje e themeluar nga Lord Baden Powel. (Baden Pauell)
Për më shumë se 60 vjet, Skaut Europë ka promovuar një vëllazëri autentike midis popujve të Europës dhe më gjerë, falë metodës së skautizmit. Skautizmi është një mësim jete (shkolla e jetës), duke u mundësuar qytetarëve të së nesërmes të rriten personalisht. Ajo gjithashtu krijon lidhje të forta dhe paqësore midis popujve dhe vendeve.
Duke i shërbyer rritjes njerëzore dhe shpirtërore të brezit të ri, Unioni Ndërkombëtar i Guidave dhe Skautëve të Evropës – Federata e Skautizmit Evropian (UIGSE-FSE) federon sot më shumë se 68,000 fëmijë, adoleshentë dhe vullnetarë në 25 vende.
Në Shqipëri “Guidat dhe Skautët e Europës” u hap në vitin 1995, në Shkodër me inciativë të Dom Ndoc Nogaj. Djem dhe vajza u mblodhën së bashku për të mësuar dhe jetuar jetën e Skautëve të ndihmuar nga Skautët belgë, të cilët për shumë vite kontribuan në Shkodër. Këta të rinj iu besuan Kishës Katolike.
Skautët prej shumë vitesh kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, duke njohur dhe shijuar bukuritë e shumta të Shqipërisë, duke marrë pjesë në kampe disa ditore, duke bërë vullnetarizëm dhe duke jetuar stilin Skaut.
Pas shumë vitesh ndërprerje, në fillim të vitit 2022, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkvi i Shkodrës, i kërkoi meshtarit, Dom Marjan Gjinesha të kontribuonte në hapjen edhe një herë të Skautëve.
U bë prezantimi i Skautizmit dhe shumë shpejt djem e vajza u bënë pjesë e tij. Në 4 famulli u ngritën dega e gjelbër dhe patrullat e lira.
Në të njëjtën kohë, disa nga ish-skautët u ftuan të ishin pjesë e organizimit dhe menaxhimit.
Takimi i sotëm, është një aktivitet i organizuar me qëllim që ish skautistët të mblidhen së bashku, të takohen përsëri për të kujtuar vitet e tyre në skautizëm e për të dhënë një dëshmi për fëmijët, adoleshentët e të rinjtë që sot janë pjesë e skautizmit në Shkodër.
Motot Skaut janë: “Gjithmonë gati” dhe “Ta lëmë vendin më mirë se e kemi gjetur.”






