Kryeministri Edi Rama ka ndarë disa foto nga Shkodra këtë fundjavë dhe pamjet flasin vetë: qyteti është plot.
Në çdo cep shihen njerëz, lokale të mbushura dhe rrugë që “vlojnë” nga lëvizja. Një atmosferë që të jep menjëherë idenë që diçka po ndodh në Shkodër këto ditë. Dhe në fakt, nuk është rastësi. Shkodra prej kohësh është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për fundjavë, sidomos në pranverë kur moti është ideal dhe qyteti merr tjetër gjallëri.
Sipas guidave turistike, mjaftojnë 1 deri në 2 ditë për të parë pikat kryesore të qytetit , çka e bën perfekte për një “arratisje” të shkurtër. Qendra është pika ku nis gjithçka. Rrugicat, kafenetë dhe restorantet janë gjithmonë plot, ndërsa lëvizja me biçikleta mbetet një nga “shenjat dalluese” të qytetit.
Pak më larg, liqeni i Shkodrës është një tjetër arsye pse shumë vizitorë zgjedhin këtë destinacion. Zona e Shirokës mbetet ndër më të frekuentuarat, sidomos në ditë të ngrohta. Ndërsa për pamjet më të bukura, Kalaja e Rozafës vazhdon të jetë një nga pikat më të vizituara, sidomos në orët e perëndimit. Fotot e publikuara nga Rama duket se vetëm sa konfirmojnë një trend që ka nisur prej kohësh: Shkodra nuk është më thjesht një ndalesë, por një destinacion më vete. Dhe këtë fundjavë, duket se shumë njerëz e kanë menduar njësoj.






