Ballina Sociale Nis rikonstruksioni i poliklinikës së Shkodrës. Manastirliu: Investim kap vlerën e 116...

Nis rikonstruksioni i poliklinikës së Shkodrës. Manastirliu: Investim kap vlerën e 116 mln lekëve

Manastirliu-Spiropali: Investimet në Shkodër prioritet, gati investimi në poliklinikën e qytetit, drejt përfundimit qendra shëndetësore nr.1

21 Shkurt, Shkodër- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me Ministren e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, kanë parë nga afër investimet në shëndetësi që po kryhen në qarkun e Shkodrës.
Ministrja Manastirliu ndau me stafin lajmin e mirë të fillimit të investimit në Poliklinikën e qytetit.
“Investimi i poliklinikës së spitalit është një investim i qeverisë shqiptare në vlerën 116 milion lekë. Jemi të fokusuar që sa më shpejt të fillojmë punën për rehabilitimin e kësaj godine, e cila do të transformohet tërësisht pasi do të riorganizohen shërbimet, do të ketë 13 shërbime specialitetesh që do të ofrohen. Edhe Elbasani dhe Durrësi po këtë vit fillojnë investimin sa i përket poliklinikave të spitaleve e kështu shkojmë drejt modernizimit të sistemit shëndetësor në çdo qytet”,-theksoi Ministrja Manastirliu.
Ndërsa gjatë iinspektimit të Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Shkodër, e cila po rikonstruktohet sipas standarteve më të mira, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se: “Programi i rehabilitimit të qendrave shëndetësore po vijon me intensitet. Në qarkun e Shkodrës kemi rehabilituar 22 qendra shëndetësore, ndërkohë qe do të vijojmë edhe këtë vit. Në të gjithë Shqipërinë pritet të rehabilitohen edhe 60 qendra të tjera, duke e çuar në 400 numrin e qendrave dhe ambulancave të rehabilituara në të gjithë vendin”.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka vlerësuar investimet në sektorin e shëndetësisë në qarkun Shkodër.
“Ky është një investim serioz i qeverisë shqiptare në Shkodër. Jam e sigurt që ky investim do ta kthejë këtë poliklinikë në një qendër të vërtetë me aparatura moderne, por do t’i japë edhe dinjitet mjekëve, infermierëve e të gjithë atyre që shërbejnë me vetmohim ndaj qytetarëve”, -tha Spiropali.
Ministrja Manastirliu nënvizoi se në kujdesin parësor po ofrohen një sërë programesh të konsoliduara për shëndetin e qytetarëve nga kontrolli mjekësor bazë, vaksinimi tek sherbimet e integruara socio-shëndetësore.
Pas investimeve në sallat e kirurgjisë dhe urgjencës së spitalit rajonal, edhe poliklinika do t’i ndënshtrohet rikonstruksionit të plotë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks