Niko Peleshi do të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë për katër vitet e ardhshme.
Peleshi ishte sugjerimi i kryesocialistit Edi Rama për të marrë këtë detyrë. Propozimi u hodh në votim të fshehtë në seancën e sotme plenare, ku ia doli të grumbulloi 84 vota pro. 87 deputetë morën pjesë në votim.
Opozita, që ishte kundër emrit të Peleshit për drejtimin e Kuvendit, bojkotoi votimin dhe në vend të fletës së votës, hodhi në kuti pankarta kundër qeverisë ‘Rama 4’.
Peleshi kërkoi nga të gjithë deputetët që të vendosen standarde të reja në këtë moment kyç të Shqipërisë, ku në Kuvend të respektohen standardet europiane, ato të respektimit të Kushtetutës dhe Kodit të Etikës.
“Besimi që më dhatë sot duke më zgjedhur Kryetar të Kuvendit të Shqiëprisë, është nder dhe përgjegjësi e madhe, e pranoj me përgjegjësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij Kuvendi dhe qytetarëve. Jam ftuar nga kryeministri Edi Rama për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Angazhohem ta kthej këtë besim, në një shtysë për të punuar çdo ditë. Falenderoj zonjën Elisa Spiropali për detyrën e saj si kryetare e Kuvendit, i uroj suksese në detyrën shtetërore që pritet të marrë. Falenderoj të gjithë deputetët dhe i siguroj se do të bëj gjithçka për të krijuar hapësirën e nevojshme. Do të doja të vendosim një standard të ri për respektimin e Kushtetutës dhe Kodit të Etikës. Ne jemi bashkëudhëtarë dhe kontribues në segmentin final drejt BE-së, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të qytetarëve tanë”, u shpreh Peleshi.