Dy personat e përfshirë në ngjarjen e sotme në Orosh, Julian Cumraku dhe Erzen Uka, janë vënë re që në orët e para të mëngjesit nga shërbimet e Policisë së Pukës.
Të dy kanë qenë prej kohësh nën monitorimin e strukturave të Antiterrorit. Erzen (Hamza) Uka, ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse shqiptare në Irak, ka qenë më herët i dënuar me tre vite burg për akuzën e nxitjes së urrejtjes fetare. Në vitin 2015, ai u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me organizatën ISIS, një çështje që solli përplasje të ashpra në gjykatë mes tij dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.
Edhe pse rrallë shiheshin në rrugët e zonës, Cumraku dhe Uka nuk kishin krijuar probleme me banorët. Të dy frekuentonin xhaminë e fshatit Kryezi, një objekt ku nuk zhvillohen rregullisht shërbesa fetare për shkak të mungesës së stafit fetar.
Për shkak të dyshimeve se ishin të armatosur rëndë, situata u konsiderua me rrezik të lartë. Për këtë arsye, forcat speciale shmangën një ndërhyrje të menjëhershme, duke pritur krijimin e kushteve të sigurta për zgjidhjen e incidentit, ndërkohë që Cumraku dhe Uka refuzonin t’u përgjigjeshin thirrjeve të policisë për dorëzim.






