Një lajm i mirë për kulturën shqiptare vjen nga fusha e fotografisë. Libri “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni”, me autor drejtorin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, është përzgjedhur në listën e ngushtë të çmimit prestigjioz “Henri Cartier-Bresson Self-Published PhotoBook Award 2025” në Paris.
Ky botim do të prezantohet në muajin shtator në bibliotekën e Qendrës së Fotografisë të “Victoria and Albert Museum” në Londër, duke i dhënë një jehonë ndërkombëtare historisë së fotografisë shqiptare dhe trashëgimisë së vyer të familjes Marubi.
Ky vlerësim përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për autorin, por edhe për promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar në skenën ndërkombëtare. Përzgjedhja në një nga çmimet më të njohura të fotografisë dëshmon për cilësinë dhe rëndësinë e këtij botimi.
Vetë Bedeni e cilëson këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për të ndarë punën e tij me një publik më të gjerë dhe për të çuar përpara historinë e fotografisë shqiptare në një nga hapësirat më prestigjioze muzeale në botë.






