Qeveria Rama do të nisë me fazën e dytë të reformës së ujit, që parashikon ngritjen e një Operatori Kombëtar për Ujin, një strukturë e re kombëtare me fokus menaxhimin e të gjitha burimeve ujore në vend, që pritet të nisë punë në janar të vitit të ardhshëm. Shefi i qeverisë, Edi Rama ne fjalën e tij pati kritika hapur për 58 ndërmarrjet e shpërndarjes së ujit, të cilat i quajti “çeta”. Fragmentimin në emër të decentralizimit, kryeministri Rama e quajti katastrofë të vërtetë ndërsa vlerësoi reformën e vitit 2021 që 58 ndërmarrjet i shkriu në 15 shoqëri rajonale.

“Dua të ndajmë me publikun një hap të rëndësishëm që duam të hedhim së shpejti lidhur me krijimin e operatorit kombëtar të shpërndarjes së ujit. Kemi pasur një trashëgimi dramatike në sektorin e ujit që kërkon investime dhe administrim të përgjegjshëm dhe në këto vite kemi bërë investime të mëdha dhe kemi rritur përgjegjshmërinë e administrimit. Por, jemi të bindur dhe duke parë ecurinë e një reforme që u ndërmor pasa ca vitesh që nuk kemi arsye të humbasim kohë dhe të besojmë në një zgjidhje tjetër përveç një zgjidhje që na është sugjeruar edhe vite më parë. Fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte katastrofë”, tha ai.

Hajdutët e ujit, do ta pësojnë njëjtë si ata që vidhnin energjinë e ujit. Krahas Operatorit Kombëtar, qeveria do të hartojë një plan masash, që parashikon ngritjen e një Task Force dhe masa deri në heqje lirie për abuzuesit, kryesisht për ata që vjedhin për qëllime fitimi.

Ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vjodhën energjinë elektrike. U tregua një përrallë e gjatë që u kthye në një të vërtetë që iu hoq liria atyre që nuk paguan energjinë. Jo nuk është e vërtetë. Atyre iu pre energjia se një gjë është të mos e paguash dhe një gjë është ta vjedhësh. Siç krijuam Task forcën e energjisë, do krijojmë edhe atë të ujit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë komentoi edhe kritikat për ujësjellësit e Tragjasit, që pritet të furnizojë me ujë zonën turistike të Dhërmiut dhe Palasës. Ai theksoi se qeveria nuk ka qëllime të errëta që t’ua marrë ujin banorëve për t’ia dhanë oligarkëve, ndësa i cilësoi këto deklarata si konspiracione dhe fantazi politike. Për protestat që janë mbajtur, ai tha se “nuk kishin ujë dhe bërtisin për burimin a thua se iu vajti një kuçedër t’iu thante burimin”.

“Të gjithë do ta kuptojnë që burimet ujore të Republikës së Shqipërisë, nuk janë burimet e atij që i ka më afër, janë burimet ujore të Republikës së Shqipërisë. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka njerëz me fat që e kanë ujin afër dhe njerëz pafat që kanë burimin larg. Siç ua kam shpjeguar shumë banorëve të Tragjasit, as nuk diskutohet që nuk ekziston në asnjë botë tjetër, veçse në botën e konspiracioneve dhe fantazive politike, mediatike, apo rreth tryezës duke pirë raki, që qeveria e Shqipërisë, ministria, t’i marrin ujin disave për t’ia dhënë disave”, tha Rama.

Teksa shprehu kritika për punësimet në ndërmarrjet e ujit, duke thënë se janë mbushur me punonjës ‘parazitë’, Rama paralajmëroi gjithashtu se do t’u jepet fund punësimeve si rezultat i krushqisë e politikës. Rama njoftoi edhe një aksion në vijim për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet.

“Një nga problemet themelore të furnizimit me ujë të shpërndarjes së ujit, është niveli i ulët i burimeve njerëzore të ndërmarrjeve. Drejtorët e shoqërive e kanë parë me sytë e tyre se me sa pak forca të përgatitura bëjnë punën dhe se sa forca parazite ka nëpër ndërmarrje që janë aty si rezultat i krushqisë, i politikës, i fqinjësisë së mirë në rrugën e fshatit. Operatori Kombëtar do ketë kapacitetin të jetë i distancuar nga kjo, siç u distancua nga politika OSHEE.”, shtoi kryeministri.

Në Operatorin Kombëtar të Ujit, 61 bashkitë e vendit do të aksionere me 2 deri 5%, nga 49% që kanë aktualisht në 15 shoqëritë rajonale. Këto shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve do të operojnë nën ombrellën e Operatorit të ri të Prodhimit të Ujit, për t’ju nënshtruar në 2027-ën një faze tjetër, asaj të ndarjes në dy nukla të tjera: një shoqërie për shpërndarjen dhe një tjetre për furnizimin dhe faturimin tek abonentët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu