Policia e Shkodrës ka zhvilluar një sërë veprimesh procedurale gjatë 24 orëve të fundit, duke ndaluar, arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin S. M., 55 vjeç, banues në Shkodër, pasi me një motomjet të modifikuar dhe pa targa, që drejtonte, aksidentoi këmbësoren E. D., 71 vjeçe, dhe më pas u largua nga vendngjarja. E. D. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Po ashtu, është nisur procedim penal ndaj: Gj. P., 23 vjeç, banues në fshatin Bushat, i cili duke drejtuar automjetin, aksidentoi lehtë këmbësorët B. S., 30 vjeç, dhe A. Ç., 25 vjeçe; G. Rr., 53 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga, duke shkaktuar lëndimin e lehtë të pasagjerit F. S., 50 vjeç.  Shërbimet e DVKM Shkodër referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. P., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në automjet iu gjet një kartë identiteti greke me të dhënat e tij, që dyshohet se është e falsifikuar. Ai po hetohet për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”. Specialistët e Policisë së Postës Theth shpallën në kërkim shtetasin M. B., 55 vjeç, i cili dyshohet se ka ndërtuar një objekt me konstruksion metalik pa lejen përkatëse. Në vijim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht: A. M., 70 vjeç, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike”, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale në ambient publik me shtetasen M. G., 63 vjeçe, e cila u procedua për “Prostitucion”. Ky rast u dokumentua në bashkëpunim me gazetarët e emisionit “Fiks Fare” dhe Policinë Bashkiake Shkodër; Ç. R., 50 vjeç, pasi në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, në bashkëpunim me OSHEE. Në Spitalin Rajonal Shkodër është paraqitur në gjendje të rëndë V. S., 27 vjeçe, e cila dyshohet se është vetëhelmuar me medikamente. E reja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.K. L., 40 vjeçe, ka kallëzuar shtetasen S. M., 71 vjeçe, për bllokim të rrugës që çon drejt banesës së saj. Në Malësinë e Madhe, është proceduar penalisht shtetasi O. H., pasi dyshohet se me vetëgjyqësi ka rrethuar një rrugë në fshatin Stërbeq, duke pretenduar se është pronë e tij. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu