Helmimi i tre personave në një lokal në Shkodër ka ardhur si pasojë e kontamiminit të një shisheje uji të ambalazhuar.
Në këtë përfundim ka arritur Ujësjellës Kanalizime Shkodër e të njëjtën gjë ka deklaruar dhe menaxherja e lokalit ku ndodhi incidenti.
Sipas Sonila Krujes helmimi ka ardhur si pasojë e pirjes së një shishe uji të ambalazhuar ndërsa kamarieri që i shërbeu nuk e besoi një gjë të tillë dhe piu edhe ai.
“Menjëherë sapo nënë e bir kanë shfaqur shenja helmimi ja kanë raportuar stafit tonë. Stafi jonë ka marrë masa për ti dhënë ndihmën e parë ndërkohë kamarieri që e ka hapur shishen nuk e ka besuar se ata janë helmuar me ujin në shishe dhe e ka pirë dhe ai.
Edhe ai ka shfaqur të njëjtat shenja helmimi. Ne kemi njoftuar organet kompetente për ngjarjen dhe kemi dorëzuar kamerat e sigurisë. Jemi të hapur për çdo organ ligjzbatues për çdo kërkesë që mund të kenë,” tha ajo.
Mësohet se janë bërë analizat laboratorike dhe ka rezultuar se uji i shisheve ka dalë në normë ndërsa shishja në fjalë ndodhet e sekuetruar nga hetimi. Ende nuk kanë dalë rezultatet e analizave të ujit të shishes që kanë konsumuar klientët dhe kamarieri.