Në krizë totale, Vllaznia e ka të pamundur të rikthehet te fitorja, suksesi i tyre i fundit daton më 12 shkurt. Shkodranët dalin me një pikë pas barazimit 2-2 përballë Kastriotit, një pikë që i rri ngushtë dhe i largon gjithnjë e më shumë nga Evropa. Sfida nisi në malore për kuqeblutë, ku pas 22 minutash lojë, Bekim Balaj u largua nga fusha e lojës i dëmtuar.
Dy ekipet prodhuan pak raste për shënim, por fundi i pjesës së parë ishte “zjarr”. Në minutën e 43-të, Latifi futi një top të bukur në zonë, aty ku Çoba me një goditje të saktë kaloi Vllazninë në avantazh.
Festa nuk zgjati shumë pasi dy minuta më vonë, Juric shkaktoi faull në zonë, me gjyqtarin e takimit që akordoi penallti dhe karton të kuq për Juric, i dytë i verdhë. Nga pika e bardhë e penalltisë, Rexhinaldo u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Kaina u shërbye në zonë dhe me kokë rikthye Vllazninë në avantazh. Atëherë kur gjithçka po shkonte drejte fundit, në minutën e 92-të, Mihana me kokë vendosi baraspeshën. Vijon ecurinë shumë të mirë Egnatia. Rrogozhinasit dalin me tre pikë nga sfida përballë Bylis pas suksesit të pastër 2-0. Malota dhe Kasa ishin autorët e golave. Me këtë fitore, Egnatia afrohet gjithnjë e më shumë me objektivin kryesor, të sigurojnë një vend në kupat e Evropës.
Tekniku i Vllaznisë, Goce Sedloski ka analizuar barazimin 2-2 me Kastriotin.
“Ka një zhgënjim të madh për të gjithë ne. E kishim gjithçka në dorën tonë, por pësuam dy gola në fund të pjesës së parë dhe në kohën shtesë. Edhe pse kemi qenë me 10 lojtarë gjithë pjesën e dytë, kemi pasur mundësi për të shënuar golin e tretë, por nuk ia arritëm. Nuk mund të jem i kënaqur me këtë rezultat, pasi kishim shanset tona për të mbyllur ndeshjen.
Është mëkat që nuk arritëm të merrnim tre pikë sot. Normalisht që do të fokusohemi te ndeshja e Kupës, që luhet në mesjavë. Të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin sot, veçanërisht në pjesën e dytë. Kundërshtari nuk arriti që të krijojë ndonjë rast, por nuk arritëm që të ruanim rezultatin deri në fund. Nga nesër duhet të përgatitemi sa më mirë për ndeshjen e Kupës.
Gjendja e Balaj? Ai nuk ka bërë stërvitje 2 ditë para ndeshjes, por më dha një sinjal që mund të luante. Që në minutën e 10-të ndjeu dhimbje dhe u detyrova që ta zëvendësoj. Kemi pasur probleme me mungesat dhe kemi bërë disa ndryshime në formacion. E kam thënë që këto 5 ndeshjet e fundit të bashkohemi të gjithë dhe të luajmë si një familje dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, – tha ai.






