Përfaqësues të Partisë Demokratike, përfshirë nënkryetarin Qashif Hoxha, sekretarin politik Besnik Kastrati dhe sekretarin organizativ Gjenarin Kapcari, zhvilluan sot një takim me tregtarët e tregut të Rusit në Shkodër.

Takimi u organizua pas vendimit të Bashkisë Shkodër për të pesëfishuar taksën e shfrytëzimit të hapësirës për tregtarët, një masë që, sipas tyre, është vendosur pa paralajmërim dhe rëndon ndjeshëm mbi bizneset e vogla.

Tregtarët shprehën pakënaqësinë dhe revoltën e tyre ndaj kësaj rritjeje, duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të papërballueshme në kushtet e vështira ekonomike. Partia Demokratike, dega Shkodër, u shpreh e vendosur për të mbështetur tregtarët në këtë çështje dhe i inkurajoi ata të vijojnë rezistencën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Në një deklaratë, PD i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, që të tërhiqet nga ky vendim, duke e konsideruar atë një barrë të padrejtë për qytetarët dhe bizneset në një periudhë të vështirë ekonomike e sociale.

“Forca politike në pushtet po shkatërron ekonominë e Shkodrës, duke rënduar më tej situatën financiare të qytetarëve,” thuhet në reagimin e PD Shkodër, e cila akuzon qeverisjen lokale për politika të padrejta ndaj bizneseve.

Partia Demokratike dega Shkodër ftoi qytetarët të denoncojnë çdo padrejtësi dhe të mos heshtin përballë vendimeve që, sipas saj, dëmtojnë ekonominë lokale. Ndërkohë, me afrimin e zgjedhjeve të 11 majit, PD shprehu bindjen se ndryshimi politik në Shkodër është i pashmangshëm.

“Fitorja fillon nga Shkodra,” përfundon deklarata e PD Shkodër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu