Ditën e sotme u zhvillua faza e tretë e procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Shtatë kandidatët zhvilluan ditën e sotme provimin e zgjeruar me shkrim dhe testin për arsyetimin logjik.
Testi nisi në orën 11:00 në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dhe të dy provimet zgjatën 1 orë e 45 minuta.
SPAK njofton se pas këtyre testeve kandidatët do të kalojnë në fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Kandidatët e mbetur në garë janë Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Njoftimi i SPAK
Në përputhje me ligjin nr. 95/2016, sot u zhvillua faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.
Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.
Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.
Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.
Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.
Testi i ardhshëm është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.