Në Bogë të Malësisë së Madhe u kremtua mesha e shenjtë në përkujtim të 35-vjetorit të meshës së parë që riktheu lirinë e besimit në Shqipëri dhe në nderim të martirëve të lum. Ceremonia u udhëhoq nga Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv emeritus i Shkodër-Pultit. Në fjalën e tij, Imzot Massafra theksoi rëndësinë që ka feja në jetën e shoqërisë dhe rolin udhërrëfyes të martirëve. “Nëse sot ka korrupsion moral kudo, është sepse mungon feja”, theksoi arqipeshkvëi Massafra.
Famullitari i zonës, dom Nikolin Sheldija e falenderoi monsinjor Massafrën për misionin e tij në vendin tonë dhe rolin kyç që ka patur në shpalljen të lum të 40 martirëve të fesë, që sot bota mbarë njeh vuajtjet dhe historinë e popullit tonë gjatë diktaturës.
Në emër të besimtarëve të kësaj zone, Gjergj Rakaj i dhuroi arqipeshkëvit Massafra dy dhurata simbolike, që lidhen me njohjen e tyre të hershme, 25 vite më parë në Londër.
Pas meshe u bekua kryqi i vendosur në oborrin e Kishës, që është kryqi i martirit të zonës, dom Lek Sirdanit dhe më pas u bë bekimi i varreve. Kjo meshë përkujton një ngjarje historike për Kishën Katolike në Shqipëri, e cila shënoi fundin e dekadave të ndalimit të fesë dhe fillimin e një epoke të re të lirisë shpirtërore.






