Lul Rakaj, i cili plagosi dy persona mëngjesin e sotëm në zonën e Malësisë së Madhe, është arrestuar pas një operacioni të forcave speciale RENEA dhe Policisë së Shkodrës.

Rakaj u kap në afërsi të ballkonit panoramik të Tamarës, një pikë turistike e njohur në Malësinë e Madhe.

Gjatë arrestimit, Rakaj tentoi të çante rrethimin e parë të policisë, por u ndalua nga forcat speciale RENEA. Pavarësisht përpjekjes për rezistencë, ai u kap dhe u arrestua pa lëndime të mëtejshme.

Arma e zjarrit që Rakaj mori me vete pas ngjarjes ende nuk është gjetur në makinën e tij.

Në momentin e arrestimit, Rakaj ndodhej në automjetin e tij së bashku me gruan. Operacioni, i cili përfshiu edhe përdorimin e forcave speciale, shkaktoi frikë te rreth 20 turistë të huaj që ndodheshin në ballkonin panoramik të Tamarës me motorët e tyre.

Ndërkohë, dy personat e plagosur, Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj, janë ende nën kujdesin intensiv të mjekëve. Sakaq, policia po vazhdon hetimet për të gjetur armën e përdorur dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.

Malësi e Madhe

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të dy shtetasve në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.

Pas ngjarjes së ndodhur paraditen e sotme në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku shtetasi L. R., tentoi të vriste me armë zjarri shtetasit B. C., dhe A. H, të cilët mbetën të plagosur, dhe më pas shtetasi L.R, u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit, shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij.

Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.

Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.

Shtetasi L.R, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar.

Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin ligor të këtij rasti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu