Dosja penale që lidhet me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhur në Shëngjin është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur në total 9 persona për këtë çështje.
Sipas organit të akuzës, tre ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, Gentjan Malota, Artur Shabaku dhe Admir Maxhani, akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Për të njëjtën akuzë do të përballen në gjykatë edhe dy ish-drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Kol Malaj dhe Flori Gjini, si dhe polici i zonës së Shëngjinit, Martin Ndoka.
Ndërkohë, ndërtuesi Pjetër Tuçi është marrë i pandehur për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.
Në listën e të pandehurve janë edhe dy inxhinierët e ndërtimit, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të cilët akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Kërkesa e Prokurorisë për gjykim është paraqitur tashmë në Gjykatë dhe çështja pritet të kalojë fillimisht në seancë paraprake. Në këtë fazë, gjykata do të vendosë nëse dosja do të kalojë për shqyrtim në themel, apo nëse do të kthehet për plotësim hetimesh nga organi i akuzës.






