Ditën e sotme në orët e para të mëngjesit ka ndërruar jetë Ismail Kadare. Autori më i madh i yni dhe prozatori kolos i letrave shqipe e filloi karrierën së pari si poet e më pas si dramaturg e autor.

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Për herë të parë në historinë e vet, nëpërmjet Kadaresë letërsia shqipe është integruar në letërsinë evropiane dhe botërore, dhe përfaqësohet denjësisht në hartën e tyre. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, në vitin 2019 Çmimin Park Kyong-ni ndërsa në vitin 2020 çmimet Neustadt dhe Prozart. Më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. U përpoq të shkruajë letërsi normale në një vend jonormal. Vepra e tij është luftë e pareshtur për të arritur botimin, duke iu kundërvënë politikës zyrtare, duke ia hedhur censurës komuniste, madje duke vënë në rrezik edhe jetën e tij. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu