Ndërron jetë në SHBA, Violeta Sekuj, gruaja e parë regjisore në teatrin “Migjeni” Shkodër, si dhe aktore e dhjetra roleve.
Njoftimi:
Me hidhërin të thellë njoftojmë se, para katër ditësh, me datën 23 Korrik 2025, në Massachusetts të SHBA, u nda nga ne, në moshën 94 vjeçare, regjisorja dhe aktorja e shquar e teatrit “Migjeni”, Violeta Sekuj. I gjithë komuniteti i artistëve shkodranë dhe jo vetëm, shprehin ngushëllimet e sinqerta familjes Sekuj për këtë humbje të madhe! I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Violeta Sekujt!
Violeta Sekuj lindi në qytetin e Korçës, me 1 Mars 1931. Veprimtarinë e saj artistike si profesioniste e filloi në teatrin “Migjeni”, në mesin e viteve 50. Gjatë gjithë jetës së saj artistike, Violeta shquhet për korrektësinë, profesionalizmin dhe kreativitetin në krijimin e karaktereve në rolet e besuara. Violeta ishte aktorja e parë me shkollën profesionale dhe, gjithashtu regjisorja e parë grua në teatrin “Migjeni.”
Violeta ka realizuar dhjetra role si në teatër dhe në kinematografi. Në teatër mund të përmendim rolet tek: “Shërbëtori i dy zotnive” ( ky është roli i parë, në vitin 1955), “Djali plangprishës”, “Zekthi”, “Nora”, “Çështja e Blertës”, “Çifti i lumtur”, “ Gjaku i Arbrit” etj. Ndërsa, në Kinematografi: “Fundi i një gjakmarrje”, “Militanti”, “Flutura në kabinën time” etj.
Violeta ishte një nga regjisoret kryesore në teatrin “Migjeni”. Ajo ka vënë në skenë 15 shfaqje, ku mund të veçojmë: “Prefekti”, “Djem të mbarë”, “Nora”, “Kaçakët”” etj.
Violeta Sekuj ishte kolege dhe bashkudhëtare me gjeneratën më të vjetër të teatrit, me Zef Jubanin, Adem Kastratin, Tinka Kurtin, Vitore Ninon, Antonjeta Fishtën, Ndrek Prelën, Andrea Skanjetin, Lec Shllakun, Esat Oktrovën, Serafin Fankon, Roza Anagnostin, Rikard Ljarjen e shumë e shumë të tjerë të brazave të ardhshëm të teatrit “Migjeni”.
Violeta ishte bashkëshortja e regjisorit e themeluesit të Estradës Profesioniste të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Paulin Sekuj.
U nda nga jeta, më 23 Korrik 2025, në SHBA.