Në moshën 90-vjeçare është ndarë nga jeta Adnan Muka, kopshtari i njohur që për dekada me radhë i fali Shkodër aromë, ngjyra dhe një filozofi jete të mbjellë mes petaleve. Oborri i shtëpisë së tij ishte kthyer në një kartolinë të gjallë të asaj që prej vitesh quhet “Shkodra e luleve”. Sapo hapej porta, vizitorët përballeshin me një botë trëndafilash, karafilash, lulebore e jasemini, të sistemuara me kujdes dhe dashuri të rrallë. Gjithçka lindi në vitin 1965, në një moment të vështirë familjar. I ati u kthye në shtëpi pas dy vitesh në arrati dhe 20 vitesh burg gjatë regjimit komunist. Për ta pritur siç e meritonte, ai vendosi të sistemonte oborrin dhe të mbillte lule. Pikërisht aty lindi një lidhje që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. I frymëzuar nga biologu amerikan Luther Burbank, Muka e shndërroi kopshtarinë në mision. “Nëse do të rilindja, do të merresha vetëm me lule dhe frutikulturë”, shprehej shpesh ai në daljet televizive. Në oborrin e tij në një shtëpi karakteristike shkodrane numëroheshin mbi 50 lloje lulesh, ndërsa i dhuroi edhe qytetit në hapësirat e tij publike, trëndafilat që ai kultivonte dhe kujdesej për to.






