Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare ditën e sotme, 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.
Anagnosti u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 89-vjeçare, ndërsa ditën e sotme janë planifikuar homazhet për të në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.
Njoftimi:
Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Këshilli i Ministrave ka vendosur të shpallë ditë zie kombëtare ditën e martë, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare, mjeshtër i ekranit dhe i artit skenik, i cili la një trashëgimi të çmuar kulturore për brezat.
Në respekt të vendimit, në të gjithë vendin flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij.
Vendimi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, të miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen ditë zie kombëtare të martën, datë 2 shtator 2025, në nderim të të ndjerit, Dhimitër Anagnosti, personalitet i shquar i kinematografisë shqiptare.
2. Në ditën e zisë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
3. Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e martë, datë 2.9.2025, nga ora 10:00 deri në orën 13:00.
4. Në orën 10:00, datë 2.9.2025, në nderim të tij të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.
5. Radiotelevizioni Publik Shqiptar, gjatë orëve të kryerjes së homazheve dhe ceremonialit shtetëror, të transmetojë muzikë funebre.
6. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore ngrihet Komisioni i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, i cili në përbërje të ketë:
– Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Brendshëm;
– Nënkryetarin e Bashkisë Tiranë;
– Drejtorin e Protokollit të Shtetit;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Komandantin e Gardës së Republikës së Shqipërisë;
– Drejtorin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare;
– Përfaqësues nga kabineti i Kryeministrit;
– Përfaqësues nga zyra e shtypit e Kryeministrit.
7. Ngarkohet Protokolli i Shtetit që të krijojë dhe të drejtojë grupin e punës, përgjegjës për ndjekjen dhe zbatimin e masave organizative të homazheve dhe të ceremonialit shtetëror.
8. Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe të ceremonialit të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.