Lamtumirë Profesor Isuf Dedushaj!

Me keqardhje mësova ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Isuf Dedushaj, një emër i shquar i mjekësisë shqiptare, epidemiolog i parë shqiptar në Kosovë, profesor i përkushtuar dhe drejtues i rëndësishëm në shëndetësinë publike. Me një kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin e shkencës mjekësore, ai la pas një trashëgimi të pasur akademike dhe profesionale.

Afro 1 vit më parë pata nderin ta vlerësoja me Çertifikatën e “Mirënjohjes”, për kontributin në fushën e mjekësisë dhe më gjërë! Ngushëllime familjes, kolegëve, studentëve dhe gjithë atyre që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të.

Kush ishte prof. Dedushaj:

Profesor Dr. Isuf Dedushaj, mjek-epidemiolog, profesor universitar, doktor i shkencave të mjekësisë dhe ish -drejtor ekzekutiv i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Profesor Isuf Dedushaj u lind më 10 tetor 1951 në fshatin e Vuthaj. Shkollën fillore e mbaroi në Vuthaj dhe Guci. Gjimnazin e kreu në Pejë, kurse Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në mars të vitit 1976. Fillimisht punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Drenas të Drenicës.

Në vitin 1976 punësohet në Entin Krahinor për Mbrojtje Shëndetësore ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi Sociale. Përfundon specializimin nga Epidemiologjia më 20 maj të vitit 1980 dhe njëherësh është epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës.

Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Sarajevës në Bosnje ku edhe magjistroi në nëntor të vitit 1983. Dr. Isuf Dedushaj më 27 nëntor të vitit 1986 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë mbrojti tezën e doktoraturës. Zgjedhet ligjërues në vitin 1983. Gjatë vitit 1986/1987 përfundoi subspecializimin nga imunologjia pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Zagrebit në Kroaci.
Punoi në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore të Kosovës prej vitit 1976-1990 kur për shkaqe etnike dhe politike largohet me dhunë nga puna.

Si mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë prej vitit 1976 ka arritur gradën prof. ordinar i Epidemiologjisë. Në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë ka qenë edhe prodekan në dy mandate prej vitit 1992 – 1996. Gjithashtu, prej tetorit të vitit 1992 e deri në vitin 2001 ka qenë Kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës.

Dr. Dedushaj ka qenë anëtar i Kryesisë së Forumit të Intelektualëve të Kosovës – përgjegjës për sektorin e Shëndetësisë. Ka qenë anëtar i Redaksisë së Revistës Shkencore “Praxis Medica” të Kosovës.
Prof. Dedushaj ka qenë mentor apo në Komision për mbrojtjen e temave të doktoraturës së 38 kandidatëve prej të cilave 2 jashtë Kosove, pastaj 45 magjistratura shkencore dhe mbi 100 mjekë i ka udhëhequr në specializime të lëndëve preventive (Epidemiologji, Higjienë, Mjekësi Sociale, Mjekësi e punës dhe Mjekësi e përgjithshme).

Ka publikuar mbi 112 punime shkencore në Kosovë dhe jashtë. Ka qenë redaktor përgjegjës i revistës “Shëndeti”, për dhjetë vjetë me radhë. Ka qenë Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kryetar i Asociacionit të Shëndetësisë Publike të Kosovës si dhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Është autor i disa monografive shkencore dhe teksteve universitare si: Vaksinimi kundër sëmundjeve ngjitëse – 1994; Epidemiologjia, Parimet dhe praktika -1997; AIDS – SIDA, Sëmundje që vret – 1998; Imunoprofilaksia – 2002 dhe Epidemiologjia speciale e sëmundjeve ngjitëse – 2005.

Më 2019, ai nxori në dritë Enciklopedinë e doktorëve të shkencës së mjekësisë shqiptare gjithandej globit.

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu