Ballina Analiza dhe Komente Mungesat sistemike, vdekja ulëritëse e kapitenit në Shkodër! Arizaj: Ka hetim...

Mungesat sistemike, vdekja ulëritëse e kapitenit në Shkodër! Arizaj: Ka hetim çfarë ndodhi, apo fjalët “prekëse” të kryetarit të bashkisë i vunë kapakun ngjarjes?

Nga Edmond Arizaj/ Mungesat sistemike,
vdekja ulëritëse e kapitenit në Shkodër

Kujt i hynë në punë qaravitjet mediatike e shtetërore për “kapitenin hero” Arben Anamali? Humbi jetën, la jetimë dy fëmijë, la gruan të ve. Përse?! Për asgjë që i takonte. Për mangësitë e thella sistemike të turizmit të brendshëm shqiptar. Ka ndonjë hetim për çfarë ndodhi, apo fjalët “prekëse” të kryetarit të bashkisë i vunë kapakun ngjarjes? Le të mos “vëmë vulën”, por thjesht pyetje nga ai pak informacion që ka dalë:

-A ishte e pajisur anija me protokoll sigurie ku turistët nuk lejohen për shembull të hidhen dhe të lahen pa mjete sigurie dhe pa leje?
-Meqë po udhëtohej në ujëra të thella, me shumë rryma, me pjesë të ftohta, a kishte jelekë shpëtimi për të gjithë pasagjerët, dhe a ishin instruktuar se duhet t’i mbanin përsa kohë ishin në bord?
-Nëse udhëtimi, xhiro turistike, parashikon, apo paramendon kontakt me ujin nga turistët, a kishte në bord minimumi një person të trajnuar si roje ujore, apo çertifikuar për ndihmën e parë?
-A ka ndonjë hartë me zonat e rrezikshme, me shumë rryma, me ujë të ftohtë, me gropa nënujore dhe të mos lihet gjithçka në dijetë, apo aftësitë e një njeriu, kapitenit në këtë rast?
-A kishte në bord, apo në breg, një skuadër ndihme, pse duhej kapiteni të kryente një akt vetësakrifikues për të shpëtuar jetën e pasagjerëve? Kjo nuk ishte detyra e tij.

Pas kësaj ngjarjeje tragjike, me pasojë të rëndë humbjen e një jete, të kapitenit që mori gjithçka mbi vete, madje edhe barrën e përgjegjësisë për të mos lënë shtetin të dilte si çyryk organizativ, kur mburret gjithë ditën për turistët, çfarë masash u morën?!
A u ndaluan hedhjet pa leje nga barkat turistike pa lejen e kapitenit?
A u vendosën harta ku mund të ndalojnë anijet që turistët të lahen?
A u vendosën jelekë për çdo pasagjer?
A u vendos staf i trajnuar brenda anijeve? Etj.

Dhe nëse me pak fjali do e zgjerojmë fushëpamjen, nuk duhet të jenë njerëzit heronj që shpëtojnë turistët, apo pushuesit në bregdetet tona. Është budallëk të duartrokasim për heronj të tillë, kur duhet të ulërasim për mungesën e paralajmërimeve, e rojeve bregdetare, e rregullave të rrepta, e ndihmës emergjente të stacionuar në plazhet me përqendrim të madh. Është budallëk të akuzosh ambulancat për ardhje me vonesë, kur ato nuk janë me krahë e kush e di nga nisen. Ata që kërkojnë miliona turistë, ata që japin lejet, ata që ndërtojnë infrastrukturat, duhet të kujdesen edhe për jetët e turistëve, pushuesve dhe notarëve, jo gjithmonë të përgjegjshëm apo në dijeni të hileve të detit dhe liqenit.
Nuk është koha për heronj e për të vdekur, është koha për rregull, sistem dhe protokolle. Shteti nuk funksionon me “Zoti të ruajtë”!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks