Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, gjatë flasë së tij në Shkollën e Magjistraturës ka paralajmëruar “tërmet” në radhët e policisë.
Nisur nga situata në të cilën ndodhet vendi dhe ngjarjet kriminale të pazbardhura, Rrumbullaku bëri me dije se ka kërkuar një reformim të plotë të Policisë së Shtetit, sa ligjor, arsimor dhe strukturor.
Qëllimi është krijimi i një trupe të aftë profesionistësh për t’u përballur me krimin dhe për të përmbushur misionin që ka Policia e Shtetit.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, e mbajtur në Shkollën e Magjistraturës, gjatë prezantimit të projektit kundër trafikimit.
Eventi i sotëm përkon me nisjen e moduleve të trajnimit për strukturat e hetimit të krimit dhe është me shumë rëndësi për mua si Drejtor i Përgjithshëm, pasi jam i bindur se forcimi i strukturave të hetimit të krimit, është çelësi i suksesit për rritjen e efektivitetit të strukturave të posaçme të luftës kundër krimit të organizuar dhe për dokumentimin me prova ligjore të zbulimit të autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura, si dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Mbështetur në këtë bindje, eksperiencë dhe përvojë, kam kërkuar një reformim të plotë të Policisë së Shtetit, sa ligjor, arsimor dhe strukturor, me qëllim krijimin e një trupe të aftë profesionistësh për t’u përballur me krimin dhe për të përmbushur misionin që ka Policia e Shtetit, krijimin e një ambienti sa më të sigurtë për qytetarët e vet, vizitorët dhe turistët që vizitojnë vendin tonë.
Në veprimtarinë komplekse të Policisë së Shtetit, veçanërisht për sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm të kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të strukturave të hetimit të krimit, si dhe për përmirësimin dhe përditësimin e tyre me metodat më të reja hetimore. Për t’i shërbyer këtij qëllimi, Akademia e Sigurisë duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm, duke rritur kapacitetet e stafit akademik dhe duke siguruar programe afatgjata trajnimi dhe përmirësim të ndjeshëm të kurrikulave.
Ne jemi të ndërgjegjshëm se institucionet e drejtësisë penale kanë një mision shumë të rëndësishëm, atë të përballjes me krimin e organizuar, i cili nuk kërkon thjesht dhe vetëm pasurimin e disa personave apo grupeve kriminale, por kërkon të sfidojë drejtësinë, rendin e sigurinë dhe të pengojë zhvillimin demokratik të vendit, ndaj është e nevojshme që të kemi oficerë të mirëtrajnuar, të aftë profesionalisht, me integritet të lartë moral dhe profesional, inteligjentë, me kurajo për t’u përballur me krimin, si dhe me aftësi të veçanta në fushën hetimeve penale.
Ky bashkëpunim vijues mes Akademisë së Sigurisë dhe Shkollës së Magjistraturës synon përmirësimin e kapaciteteve të oficerëve të Policisë së Shtetit, me qëllim kualifikimin dhe specializimin e tyre, për të realizuar hetime efikase kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë të veçantë të atyre me objekt trafikimin.
Gjithashtu, ky modul trajnimesh i shërben aftësimit të strukturave, për t’u përballur me krimin e organizuar, qasje kjo e cila do të shoqërohet me ndryshime shumë pozitive në drejtim të zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjeve kriminale dhe goditjes së grupeve të strukturuara kriminale me aktivitet kriminal brenda dhe jashtë vendit.
Projekti i konceptuar nga OSBE-ja zhvillohet në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar disa vjet më parë, ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe synon rritjen dhe promovimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Eksperienca që do të na ofrojnë kolegët tanë ndërkombëtarë, në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme, pasi përmes realizimit të këtij projekti synohet që të implementohet qasja “trajno trajnerët”, si dhe të promovohet kërkimi akademik dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet simotra.
Ky projekt do të bëjë gjithashtu të mundur që specialistët e hetimit të krimeve dhe oficerët e policisë gjyqësore, të trajnohen me metodat më bashkëkohore të hetimit, që aplikohen në shtetet pjesëmarrëse në këtë projekt.
Fillimisht do të trajnohen specialistët e strukturave kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe më pas, specialistët e të gjitha strukturave të tjera të Policisë së Shtetit.
Zyrtarët policorë që do të trajnohen nga ky projekt do të jenë përcaktues, për të përcjellë në strukturat vartëse të njëjtën qasje dhe të njëjtin nivel ekspertize, përsa u përket metodave speciale dhe më bashkëkohore të realizimit të hetimeve proaktive.
Përvetësimi në mënyrën më të mirë të mundshme, i të gjitha moduleve mbi metodat speciale të hetimit, që do të lançohen në këtë trajnim, nga kolegët e vendeve që kontribuojnë në realizimin e këtij projekti, është shërbimi më i mirë akademik dhe profesional që oficerët e hetimit të krimit të Policisë së Shtetit, i bëjnë vetes, për rritjen e cilësisë së punës së tyre, si dhe është gjithashtu shërbimi më i mirë ndaj Policisë së Shtetit, me qëllim përmbushjen e misionit të saj.
Të nderuar pjesëmarrës,
Mbështes plotësisht këtë projekt, sepse jam i bindur që pasja e një trupe policore sa më të aftë profesionalisht do të ndikojë shumë pozitivisht për imazhin dhe përceptimin e qytetarëve për Policinë e Shtetit, do të rrisë akoma më shumë besimin te partnerët tanë dhe mbi të gjitha, do të ndikojë mjaft pozitivisht në rritjen e cilësisë së hetimeve komplekse proaktive dhe pa asnjë kompromis kundër krimit të organizuar.
Mbetem i vendosur për vijimin e bashkëpunimeve dhe projekteve të ngjashme me partnerët, organizatat ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre iniciativave, në të ardhmen.
Së fundi, falënderoj ekspertët përfaqësues të SHBA-së, Italisë dhe Norvegjisë, shtete të cilat janë mbështetëset kryesore të këtij projekti, si dhe Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, që ideoi, mbështeti dhe po realizon këtë projekt shumë të rëndësishëm për të gjithë ne.
Faleminderit!






