Ka zgjatur rreth tre orë protesta e opozitës, e shoqëruar me molotovë, gaz lotsjellës dhe përplasje, ku ashtu siç ishte paralajmëruar, u mbajt pa fjalime.
Mbështetësit e opozitës, me në krye deputetët e grupit parlamentar e nisën tubimin nga Kryeministria, aty ku mes pankartave e brohorimave u hodhën molotovë drejt goditës. Si pasojë pemët pranë Kryeministrisë morën flakë, por zjarrfikëset dhe policia morën masa të menjëhershme.
Më pas protestuesit u zhvendosën drejt selisë së Partisë Socialiste, ku situata u tensionua. Disa molotovë u hodhën drejt selisë, duke bërë që godina të marrë flakë.
Pas selisë së PS, deputetët marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, aty ku u hodhën disa molotovë me radhë, të cilat rrezikuan shumë protestues dhe efektivë të policisë.
Në një deklaratë, policia tha se dhjetë policë janë dëmtuar, ndërsa nga pamjet dukej që disa protestues u përfshinë nga flakët.
Destinacioni i fundit ishte Kuvendi, por policia nuk i lejoi të grumbulloheshin. Drejt protestuesve u hodh gaz lotsjellës, i padurueshëm për protestuesit. Disa prej tyre u ndjenë keq dhe u shoqëruan me ambulancë.
Gjatë marshimit protestuesit u vunë flakën kazanëve të mbeturinave, posterave anas rrugës, thyen xhama, bllokuan trafikun dhe nuk lejonin autobusët apo ambulancat të kalonin.
Është mbyllur pas tre orësh protesta e opozitës, e cila është cilësuar si dita e parë e mosbindjes civile nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Demokratët e mbyllën protestën në selinë e PD-së, ku Noka mbajti fjalën për gazetarët. Ai nuk tregoi detaje se si do të vijojë aksioni opozitar, por tha se mosbindja do të vijojë.
Noka: Kjo ishte dita e parë që mosbinjda civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi i tërbuar sot mori një mesazh. Mesazhi ishte “jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë. Sot e kuptuan se beteja me qytetarët nuk fitohet me gaz, as me dhunë. Qytetarët i dhanë një leksion “ne do jemi këtu dhe do vazhdojmë mosbindjen civile derisa të plotësohen kërkesat.
Si do ta largoni Edi Ramën?
Noka: Ata janë të tërbuar, janë duke u dridhur sepse forca e qytetarëve u ka kallurr datën. I gjithë shteti në panik. Nuk ndalohet me policie dhe gaz revolta qytetare. Kjo nuk ishte protestë, kjo është revoltë, hapi i parë i mosbindjes civile. Do të jemi në aksion dhe do t’iu njoftojmë.
Protesta u shoqërua me përplasje mes demokratëve dhe efektivëvë të policisë. Të paktën 10 policë u lënduan dhe u dërguan në spital.
Demokratët fillimisht u ndalën te kryeministria për të vijuar më pas te selia e PS dhe ministria e Brendshe. Pas ministrisë u drejtuan te bashkia dhe në të gjitha institucionet hodhën bomba molotov. Plani i tyre për të sulmuar Parlamentin dështoi, pasi policia hodhih gaz lotsjellës. Kjo bëri që protestuesit të largoheshin dhe të drejtoheshin te selia e PD-së ku dhe përmbyllën “aksionin.” Ndryshe nga herët e tjera kjo protestë nuk pati fjalime politike.