Ekzekutimi mafioz i 34-vjeçarit Kristian Kola mbrëmjen e së enjtes në Shkodër vijon të mbetet pa autor dhe pa motive. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, përballë dhjetëra dëshmitarëve dhe nën objektivin e kamerave të bizneseve private. Pavarësisht kësaj, autorët arritën të largohen me motorin që përdorën edhe për atentatin. Në momentin e vrasjes, viktima ishte ulur në një lokal buzë rrugës, së bashku me një person tjetër. Autorët e maskuar qëlluan drejt tij, ndërsa i riu tentoi të largohej, por nuk ia doli të shpëtonte. Pas krimit, ekzekutorët u larguan me motorin që i priste pak metra më tej. Policia ka sekuestruar pamjet filmike ku duket qartë mjeti dhe dy personat e dyshuar, por ende nuk ka ngritur një pistë të qartë hetimi. Edhe familjarët e viktimës nuk kanë dhënë dëshmi që të ndihmojnë zbardhjen e krimit. Sipas burimeve, Kola nuk ka pasur precedentë penalë. Ai drejtonte një firmë ndërtimi bashkë me të atin, ndërsa kohët e fundit kishin marrë punime në kinemanë e qytetit. Nuk rezulton të ketë pasur lidhje me grupet kriminale të Shkodrës, por hetuesit po kontrollojnë të gjitha lëvizjet e tij të fundit. Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e para dhe po analizon dhjetëra orë filmime sigurie. Dyshohet se i riu ishte ndjekur për disa ditë para se të ekzekutohej. Gjithashtu, policia po verifikon kontaktet dhe komunikimet e fundit të tij, për të zbuluar nëse Kola ka qenë në konflikt me ndokënd. Dëshmitë e familjarëve, sidomos të atit, pritet të jenë kyçe për hetimin. Në fokus janë edhe personat e shoqërisë së viktimës, ndërsa policia dhe prokuroria paralajmërojnë se duhen ditë të tëra për të analizuar materialet e mbledhura. Ngjarja ka tronditur sërish qytetin e Shkodrës, vetëm pak ditë pas një tjetër vrasjeje të rëndë, ku një person ekzekutoi kushëririn e tij, duke pretenduar vetëmbrojtje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu