Me vendim të Këshillit të Ministrave, është miratuar krijimi i shoqërisë aksionare “MobAl”, sh.a., me kapital 100% shtetëror, e cila do të jetë nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo shoqëri do të ofrojë shërbime operimi dhe organizimi të transportit publik rrugor, përfshirë destinacionet turistike, linjat e rregullta, shërbime të specializuara si transporti i nxënësve dhe mësuesve, si dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, përfshirë stacionet, parkun e autobusëve dhe sistemet elektronike të biletimit. Shoqëria “MobAl” mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj. Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të financohet nga buxheti i shtetit për vitin 2025. “MobAl”, sh.a., do të funksionojë me dy nivele drejtimi, në përputhje me ligjin për shoqëritë tregtare. Të ardhurat do të sigurohen nga shitja e biletave, tarifat për operatorët e tjerë të transportit, si dhe nga burime të tjera të ligjshme.

V E N D I M
PËR
 KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE “MOBAL”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901,                    datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të                 ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 % shtetëror, me emërtimin “MobAl”, sh.a., me qëllim ofrimin e shërbimit të operimit dhe organizimit të transportit publik rrugor.
2. Shoqëria “MobAl”, sh.a., ofron kundrejt pagesës shërbimin e operimit dhe çdo shërbim tjetër, në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
3. Shoqëria “MobAl”, sh.a., sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon me dy nivele administrimi, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
4. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “MobAl”, sh.a., është 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë. Vlera prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh transferohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë pranë shoqërisë “MobAl”, sh.a., menjëherë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
5. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfaqëson shtetin si pronar të               100 % të aksioneve të shoqërisë dhe, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme ligjore për:
a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë “MobAl”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
6. Organet drejtuese të shoqërisë “MobAl”, sh.a., sipas parashikimeve të                        ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Administratori. Detyrat dhe pёrgjegjёsitё e Asamblesё sё Pёrgjithshme, Kёshillit Mbikёqyrёs, Administratorit, si dhe organizimi dhe funksionimi i shoqërisë janë, sipas parashikimeve të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe parashikimeve në statutin e shoqërisë “MobAl”, sh.a.
7. Shoqëria “MobAl”, sh.a., ka si objekt të veprimtarisë:
a) operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike;
b) operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve, përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë;
c)organizimin dhe sigurimin e mirëmbajtjes së infrastrukturës së operimit, përfshirë parkun e autobusëve, stacionet, infrastrukturën e karikimit për mjetet elektrike, sistemin e biletimit elektronik, serverat për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave, si dhe çdo shërbim ose element tjetër të nevojshëm për funksionimin e shërbimit;
        ç)  arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike;
d) organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
dh) krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.
8. Shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.
9. Shoqëria “MobAl”, sh.a., financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe nga burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.
10. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e përfaqësuesit të pronarit shtet, me qëllim përmbushjen e misionit të shoqërisë, siguron injektim kapitali për shoqërinë, brenda fondeve buxhetore të miratuara për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor”.
11. Burimi i të ardhurave të shoqërisë “MobAl”, sh.a., janë:
a) të ardhura nga arkëtimi i tarifës së biletës;
b) të ardhura nga tarifa vjetore, që përftohet nga subjektet që kryejnë shërbimin e operimit të shërbimeve të transportit publik rrugor;
c) të ardhura të tjera të ligjshme, të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi;
ç) grantet, huatë, subvencionet.
12. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i siguron shoqërisë “MobAl”, sh.a., mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
13. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2025, në programin “Transporti rrugor”.
14. Shërbimi i ofruar në shkronjën “c”, të pikës 7, të këtij vendimi, i fillon efektet në shtator të vitit 2026.
15. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu