Ballina Aktualitet Miratohen procedurat për kompensimin e transportit dhe pagesës së qirasë për punonjësit...

Miratohen procedurat për kompensimin e transportit dhe pagesës së qirasë për punonjësit e Policisë

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për përcaktimin e kritereve dhe procedurave të kompensimit për kufizimet që i krijohen punonjësit të Policisë për largësinë nga vendbanimi, sipas kostos së transportit publik dhe paga për papunësinë e bashkëshortit, të shkaktuar nga largësia e vendbanimit, si dhe kriteret dhe masa e përfitimit të pagesës së qirasë për strehim.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri i Brendshëm Ervin Hoxha bëri të ditur se “vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, rregullon situatën ligjore për kompensim të drejtë dhe të qartë për punonjësit e Policisë, që detyrohen të punojnë jashtë vendbanimit të tyre, duke përmirësuar ndjeshëm stabilitetin financiar të familjeve të tyre, pasi punonjësit e Policia e Shtetit shpeshherë përballen me shpenzime të konsiderueshme për transport, veçanërisht në rastet kur transferohen në zona të largëta”.

“Transferimi i punonjësve në zona të reja shkakton humbjen e vendeve të punës për bashkëshortët/et e tyre, duke krijuar vështirësi financiare dhe sociale për familjen, e në këtë vendim janë përcaktuar kriteret dhe procedurat lidhur me bashkëshortët, veçanërisht kompensimi për papunësinë dhe përfshirja e periudhës pa punë në vjetërsinë për pension”, shkruan Hoxha. Sipas Hoxhës kjo ndihmon në ruajtjen e qëndrueshmërisë sociale dhe ekonomike të familjes.

“Në të, gjithashtu garantohen kushte më të mira për strehimin e punonjësve të Policisë, të cilët janë të transferuar jashtë vendbanimit të tyre të përhershëm, duke siguruar që ata të kenë mundësi për të mbuluar shpenzimet e qirasë për strehim. Kjo kontribuon në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe lehtësimin e pasigurisë që mund të kenë ata dhe familjet e tyre”, u shpreh Hoxha.

Ministri nënvizoi se objektivat janë: të rregullojë kriteret dhe procedurat për përfitimin e pagesës për kompensim udhëtimi për punonjësit e Policisë së Shtetit;

të përcaktojë kompensime për bashkëshortët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët humbasin vendin e punës për shkak të transferimeve dhe qëndrimit në zona të largëta; të detajojë kriteret e nevojshme për përfitimin e pagesave, duke përfshirë dokumentacionin e kërkuar dhe procedurat për aplikim;

të krijojë një mekanizëm bashkëpunimi me zyrat rajonale të punësimit, për të siguruar trajtim me përparësi për bashkëshortët e punonjësve në rastet e hapjes së vendeve të lira pune; të minimizojë ndikimet financiare dhe sociale që vijnë nga transferimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke mbrojtur mirëqenien ekonomike të familjeve të tyre dhe duke garantuar kushte të qëndrueshme për jetesë dhe punë;

të përcaktojë kritere dhe masa për kompensimin e qirasë së banesës për punonjësit e policisë që transferohen apo emërohen jashtë vendbanimit të tyre të përhershëm.

Akti, theksoi ministri, “do të garantojë përmirësimin e cilësisë dhe ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike në fushën e sigurisë dhe rendit, në luftën kundër krimit të organizuar, duke rritur kështu besimin publik”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks