Ministrja Koçiu në Stacionin e ri të Zjarrfikësve: Synojmë një standard të njëjtë kombëtar dhe një trupë të motivuar
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim pune me trupën zjarrfikëse të Fierit, në Stacionin e ri të Zjarrfikësve, një prej modeleve më të mira në vend për infrastrukturën dhe shërbimin operativ.
Ky inspektim bëhet në kuadër të turit kombëtar të takimeve me të gjitha ekipet zjarrfikëse në bashkitë e vendit, për të evidentuar nevojat dhe për të forcuar kapacitetet e MZSH.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e ngritjes së standardeve të unifikuara në të gjitha bashkitë dhe krijimin e një trupe të motivuar e të trajnuar sipas protokolleve bashkëkohore
“Kemi nisur një tur takimesh me të gjithë ekipet zjarrfikës në të gjithë vendin. Stacioni zjarrfikës në Fier është model, si për infrastrukturën ashtu edhe për trupën. Fatkeqësisht, jo të gjitha bashkitë janë në këtë nivel dhe ky është objektivi ynë, t’i sjellim të gjitha në një standard të barabartë.
Vera e kaluar tregoi sa e rëndësishme është që çdo qytetar të ketë njohuri bazike për veprimin në emergjencë dhe sa thelbësore janë investimet në bashkitë e vogla me kapacitete të kufizuara.
Kërkohet menaxhim i qëndërzuar, koordinim i të gjitha strukturave nga emergjencat civile, te urgjenca kombëtare mjekësore, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura dhe një trupë zjarrfikësish e motivuar, e shpërblyer dhe e trajnuar sipas standardeve bashkëkohore.
Ky stacion është shembull dhe ne do të vazhdojmë punën për të ngritur kapacitetet në të gjithë vendin. E rëndësishme është të dëgjojmë sugjerimet tuaja nga terreni, sepse ajo që bëni ju është frymëzim dhe meriton vëmendje të përditshme”, tha Koçiu.
Gjatë vizitës u inspektuan ambientet e reja, përfshirë kullën e stërvitjes, ndërsa u diskutua mbi nevojat për më shumë pajisje, trajnime të specializuara dhe një strukturë karriere më të qartë për zjarrfikësit.
Takimi u mbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara reformën e shërbimit zjarrfikës, duke e bërë atë më të fortë, më të koordinuar dhe më efikas.






