Ministri Salla në Shkodër dhe Malësi të Madhe: Dëgjesa me fermerët për hartimin e Skemës Kombëtare 2026

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në vijim të turit të dëgjesave me fermerët për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, zhvilloi sot takime në qarkun Shkodër, me dy ndalesa në Shkodër dhe Malësi të Madhe, duke vijuar dialogun e drejtpërdrejtë me fermerët mbi nevojat reale të sektorit bujqësor.

Gjatë dëgjesës me fermerët, Ministri Salla theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë për të reflektuar mbi problematikat ekzistuese dhe për të ndërtuar një skemë më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. “Në dëgjesën e radhës me fermerët, po flasim hapur për atë që nuk ka funksionuar dhe po konceptojmë Skemën Kombëtare 2026 mbi siguri, gjithëpërfshirje dhe adresimin e mbështetjes së munguar,” u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se Skema Kombëtare 2026 do të bazohet në parime të qarta dhe të barabarta për të gjithë fermerët. “Një skemë me rregulla të qarta e të barabarta për të gjithë, të përafruara me standardet e Bashkimit Europian, që garanton pagesa të drejta, duke e bërë sektorin më të fortë, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm,” theksoi Salla.

Gjatë takimeve në Shkodër dhe Malësi të Madhe, Ministri Salla u shoqërua edhe nga kryetarët e bashkive përkatëse, ndërsa bashkëbisedimi me fermerët u përqendrua në nevojat reale të terrenit dhe në sugjerimet për përmirësimin e mbështetjes publike për sektorin bujqësor.

Turi i dëgjesave për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen mbi kontributin e drejtpërdrejtë të fermerëve dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu