Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Shkodër, në kuadër të Ditës Europiane Kundër Trafikimit të Personave. Ai foli për masat e marra në luftën ndaj këtij fenomeni dhe punën që bëhet në këtë drejtim.
Fjala e Ministrit:
Ndihem i privilegjuar dhe i vlerësuar të jemi bashkë në këtë aktivitet, i cili zhvillohet në kuadër të Ditës Europiane kundër Trafikimit të Personave.
Ju faleminderit që iu përgjigjët ftesës sonë për të qenë bashkë në këtë aktivitet, me sloganin: “Nga ndërgjegjësimi në veprim: Bashkohuni në luftën kundër trafikimit”!
Më lejoni të përfitoj nga ky rast, për të shprehur vlerësimin dhe konsideratën time më të lartë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen disavjeçare për këtë çështje kaq sensitive dhe me ndjeshmëri të lartë institucionale e shoqërore, siç është trafikimi i personave, si dhe për mundësinë e organizimit të këtij aktiviteti.
Ku më mirë mund të celebronim Ditën Europiane kundër Trafikimit të Personave se sa me një aktivitet gjithëpërfshirës, i cili bën bashkë nxënës dhe mësues, partnerë ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.
Dua të falënderoj Kryetarin e Bashkisë, z. Beci, që hapi dyert e bashkisë për të mikpritur përfaqësues nga e gjithë Shqipëria dhe për të bashkëorganizuar këtë aktivitet me karakter kombëtar.
Të organizosh një event të tillë, përveçse bashkëpunim, është marrje përsipër e përgjegjësive dhe detyrimeve që të gjithë bashkë kemi në parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave.
Rrjeti “URAT”, po ashtu, si partner i kahershëm i organizimit të aktiviteteve sensibilizuese antitrafikim, meriton falënderim dhe mirënjohje të veçantë.
Tashmë është krijuar një traditë disavjeçare, që përgjatë gjithë muajit tetor të organizojmë aktivitete ndërgjegjësuese dhe parandaluese në 12 qarqet e vendit. Pjesë integrale e këtyre eventeve janë rreth 45 institucione, entitete, struktura shtetërore dhe, sigurisht organizata jo-fitimprurëse kombëtare e ndërkombëtare, që kanë qenë bashkudhëtare të iniciativave tona në luftën pa kompromis kundër trafikimit të personave.
Gjej rastin të përcjell një falënderim të sinqertë me zemër, për ju të dashur nxënës që jeni sot këtu dhe bashkëmoshatarët tuaj kudo në Shqipëri.
Gjatë këtij muaji ju i keni dhënë një dimension të ri misionit tonë të përbashkët në parandalimin dhe ndërgjegjësimin publik për të luftuar trafikimin.
Të nderuar,
Ne jemi të vetëdijshëm që, përpjekjet tona për të luftuar trafikimin e personave duhen bërë në mënyrë ndërdisiplinare, duke përfshirë strukturat shtetërore dhe jo-shtetërore, institucionet e pavarura kombëtare e ndërkombëtare, shoqërinë civile, e cila është e domosdoshme në parandalimin, identifikimin, ndihmën dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit. Është përgjegjësia jonë e përbashkët për trajtimin, reagimin dhe angazhimin ndaj dukurive të tilla të papranueshme për shoqëritë demokratike dhe shtetin e së drejtës.
Sot nuk do ndalem shumë tek fushata, pasi do të flasin kolegët organizatorë, por dëshiroj t’ju bëj të ditur disa nga masat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë në luftën dhe parandalimin e trafikimit të personave.
Gjatë punës tashmë disavjeçare për parandalimin dhe luftën kundër trafikut njerëzor, kemi krijuar rrjete dhe mekanizma efikase jo vetëm për të goditur autorët dhe grupet kriminale, por duke u fokusuar më shumë në dhënien e shërbimeve të duhura, të pakushtëzuara dhe në kohë për viktimat e trafikimit.
Veprimet tona janë fokusuar kryesisht, në:
➡️ rivitalizimin dhe forcimin e strukturave kombëtare të referimit për viktimat e trafikimit në nivel qendror dhe lokal; ➡️ kontrollin e trafikimit të brendshëm, kryesisht të fëmijëve dhe grave;
➡️përmirësimin e standardeve të identifikimit dhe mbrojtjes së viktimave;
➡️ intensifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve për parandalimin;
➡️ rritjen e ndërgjegjësimit të publikut e të personelit që punon me shërbimet e ndihmës.
Një model pozitiv dhe tepër efikas, i vlerësuar si një ndër mekanizmat më të suksesshëm, është Mekanizmi Kombëtar i Referimit (MKR).
Ky model, që u rishikua vitin e kaluar, përbën marrëveshjen bazë ndër-institucionale, ndërmjet 15 institucioneve shtetërore, institucioneve të pavarura, organizatave kombëtare e ndërkombëtare për identifikimin, referimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikimit.
Autoriteti Përgjegjës për identifikimin, referimin, mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave apo viktimave të mundshme të trafikut udhëheq zbatimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit lidhur me të gjitha rastet e viktimave apo viktimave të mundshme të trafikimit, të identifikuara dhe referuara në bazë të këtij mekanizmi, në përputhje me Procedurat Standarde të Veprimit.
Në korrik të këtij viti, qeveria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit (PKV) për Luftën kundër trafikimit të personave 2024-2025. Plani shpreh përkushtimin e qeverisë shqiptare, të institucioneve shtetërore e jo-shtetërore dhe të aktorëve antitrafikim që punojnë në strukturat publike e jo-publike, për të minimizuar trafikimin e personave.
Implementimi i këtij Plani Veprimi mbështetet në parimet e gjithëpranuara, sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda, trafikimit të personave dhe, në veçanti, në parimin e përgjegjësisë shtetërore për të marrë masa për t’iu përgjigjur situatës së trafikimit në kohë, me efektivitet e në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Ky Plan mbështetet edhe në respektimin e të drejtave të njeriut si konsideratë parësore, sigurimin e mbështetjes dhe mbrojtjes për viktimat apo viktimat e mundshme të trafikimit, veçanërisht fëmijëve dhe grave. Plani ka parashikuar masa dhe aktivitete konkrete për fëmijët, gratë dhe vajzat, grupet nga komuniteti rom dhe egjiptian etj., me qëllim mbrojtjen e tyre, mbështetjen për punësim, këshillim, formim profesional dhe riintegrim.
Mbrojtja dhe asistenca ndaj viktimave apo viktimave të mundshme të trafikimit ofrohet në strehëzat e ngritura për viktimat e trafikimit, por edhe në komunitet. Të katër strehëzat
ofrojnë shërbime riintegruese, si asistencë psikologjike, shëndetësore e ligjore, formim profesional, ndërmjetësim për bashkim me familjet etj.
Nga viti 2015 deri tani, me fondet e buxhetit të shtetit, është mundësuar paga e punonjësve socialë në 3 qendrat jo-publike, pjesë e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, dhe fondi për ushqim i viktimave të trafikimit.
Në bashkëpunim me anëtarët e Mekanizmit Kombëtar të Referimit është ngritur Bordi Këshillimor për viktimat e trafikimit. Krijimi i një Bordi Këshillues, sipas modelit amerikan, në përbërje të të cilit janë të mbijetuarit (viktima apo viktima të mundshme të trafikimit), erdhi si një risi për të kuptuar më thellë problematikat që ndeshin ato në jetën e tyre, dhe për një adresim më të mirë të nevojave që kanë. Bordi ka rol këshillues për çështjet e luftës kundër trafikimit të personave, të parandalimit, ndjekjes penale dhe, në veçanti, mbrojtjes së viktimave.
Të nderuar pjesëmarrës,
Rivitalizimi i Linjës Kombëtare falas për denoncimin e rasteve të trafikimit 116 006 💙 është në zemër të kësaj fushate, prandaj, me mirënjohje them se, të gjithë bashkë, ne mundemi!
“Nga ndërgjegjësimi në veprim: Bashkohuni në luftën kundër trafikimit”!
Ju faleminderit!