Më 12 dhe 13 qershor, mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë i drejtohen Kishës së Shna Ndout në Laç, për të marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të pelegrinazhit 13-javor në nder të këtij shenjtori. Pelegrinazhi, që zhvillohet çdo të martë gjatë 13 javëve të fundit, kulmon me festimet në datat 12 dhe 13 qershor, kur besimtarët vijnë për të kërkuar ndihmë hyjnore, për të bërë lutje, apo për të falënderuar Shna Ndoun për ndërmjetësimin e tij. Një pjesë e madhe e pelegrinëve qëndrojnë natën në ambientet përreth kishës, duke e kthyer këtë ngjarje në një moment të rëndësishëm shpirtëror dhe kulturor.
Tradita e këtij pelegrinazhi është thellësisht e rrënjosur në besimin popullor, dhe çdo vit mbledh një numër të madh besimtarësh që dëshmojnë për përkushtimin dhe shpresën që lidhet me figurën e Shna Ndout.
Arqipeshkevi i Tirane – Durres, imzot Arjan Dodaj, u shpreh se kjo ditë është një ngushëllim për të gjithë besimtarët që kalojnë natën në Kishën e Shna Ndout. Më pas ai ka pyetur dhe disa besimtarë të cilët janë shprehur se kanë besim tek ky vend i shenjtë dhe besojnë se kisha e Shna Ndout ne Laç bën mrekulli.
“Unë jam shumë i lumtur që është natë e madhe për mua dhe dëshiroj që të jetë një natë e madhe për çdo shqiptar që do të ndjekë. Kur isha i vogël, 35 vite më parë. Takimi i parë, eventi i madh fetar në Shqipëri ka ndodhur në këtë datë, më 12 qershor, në natën e Shën Ndojit më 12 qershor 1990. Edhe me ardh këtu pas 25 vitesh është një ngushëllim i jashtëzakonshëm.”-tha Dodaj