Arqipeshkëvi i Shkodër – Pult, imzot Giovanni Peragine ka uruar besimtarët mysliman në prag të festës së Fiter Bajramit. Në mesazhin e tij ai shkruan:
Mesazh urimi me rastin e Fitër Bajramit.
Shumë i Nderuar Imam Muhamed Sytari, Myfti i Shkodrës.
Shumë të nderuar Vëllezër e Motra Myslimane.
Me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe të kremtimit të Fitër Bajramit, dëshiroj t’u drejtoj përshëndetjen time më të përzemërt dhe urimet e mia më të sinqerta të gjithë besimtarëve myslimanë.
Muaji i Ramazanit përbën një kohë të veçantë hiri dhe përkushtimi shpirtëror për besimtarët myslimanë. Përmes agjërimit, lutjes së përditshme dhe veprave të mëshirës e të bamirësisë, besimtari përpiqet të pastrojë zemrën, të forcojë besimin në Zotin dhe të thellojë ndjenjën e përgjegjësisë ndaj të tjerëve. Në këtë mënyrë, Ramazani bëhet një rrugë e vërtetë e ripërtëritjes së brendshme dhe e afërsisë me Zotin, por edhe një shkollë e solidaritetit, e drejtësisë dhe e dashurisë ndaj të afërmit.
Fitër Bajrami, që kurorëzon këtë kohë të shenjtë, është një ditë gëzimi dhe falënderimi ndaj Zotit për dhuntitë e Tij të shumta. Është një festë që i fton besimtarët të hapin zemrën për pajtim, për mirësi dhe për ndarje të gëzimit me familjen, me miqtë dhe në mënyrë të veçantë me ata që kanë më shumë nevojë për afërsinë dhe ndihmën tonë.
Në realitetin e vendit tonë, të shënuar nga një traditë e vyer e respektit dhe e bashkëjetesës ndërmjet besimeve të ndryshme fetare, kjo festë merr një domethënie edhe më të thellë. Ajo na kujton se, përtej dallimeve tona, jemi të thirrur të ndërtojmë së bashku një shoqëri të themeluar mbi dinjitetin e çdo personi, mbi drejtësinë, mbi solidaritetin dhe mbi paqen.
Në këtë frymë vëllazërie dhe respekti të ndërsjellë, bashkohem me ju në urimin që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ua pranojë agjërimin, lutjet dhe veprat e mira të këtij muaji të bekuar dhe që festa e Fitër Bajramit të sjellë paqe, shpresë dhe bekime për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë.
Me urimet më të mira, me respekt,
- Imzot Giovanni Peragine
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult






