Korrupsioni në radhët e policisë, shpërdorimi i detyrës, por edhe lidhjet e efektivëve me personazhet e krimit ishin në fokus të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për vitin 2024.
Referuar shifrave zyrtare, nga Janari deri në Dhjetor të këtij viti janë regjistruar 291 referime me 444 punonjës të përfshirë. Shifrat tregojnë një rritje të numrit të efektivëve të gjetur në paligjshmëri, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ka pasur 223 referime me 319 policë.
Ky vit rezulton gjithashtu me një trend rritjeje, konkretisht me 25 % të numrit të referimeve penale dhe 32 % të numrit të punonjësve të përfshirë.
Jo vetëm kaq, por hetimet me anë të përgjimeve dhe metodave proactive janë rritur me 33 % krahasuar me vitin 2023.
Rekord është edhe numri i personave të arrestuar me masë sigurie të dhënë nga gjykata në masën prej 60%. Gjatë këtij viti janë vënë në pranga 163 persona ndërsa vitin e kaluar ishin 102.
Hetimet kanë treguar se korrupsioni ka prekur edhe postet drejtuesve të policisë. Të përfshirë në aktivitete kriminale rezultuan një drejtues i nivelit të lartë, 2 të nivelit të mesëm dhe 33 drejtues të nivelit të parë, të gjithë në funksionet drejtor drejtorie e shefa sektorësh në strukturat qendrore dhe vendore të policisë.